Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ka zhvilluar sot një seancë stërvitore individuale në qendrën “Ciutat Esportiva Joan Gamper”, me synimin për të qenë plotësisht i gatshëm për ndeshjen e fundjavës në La Liga ndaj Deportivo de A Coruna.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “SPORT”, 19-vjeçari ka punuar i vetëm në ambientet e klubit, teksa pjesa tjetër e skuadrës ndodhet në Baku të Azerbajxhanit për përballjen e nesërme ndaj Sabahut në kuadër të Ligës së Kampionëve, transmeton IndeksOnline.
Yamal nuk udhëtoi me ekipin për shkak të një shqetësimi të lehtë në kyçin e këmbës, të cilin e ndjeu në fund të ndeshjes së fundit kundër Villarrealit. Stafi teknik vendosi ta lërë pushim si masë parandaluese për të shmangur çdo rrezik të panevojshëm para një kalendari të ngjeshur deri në pushimin dimëror.
Talenti spanjoll mbërriti në qendrën stërvitore rreth orës 11:00 dhe u largua pak para orës 13:00, duke kaluar afro dy orë me ushtrime të posaçme fizike dhe punë në palestër.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se rikuperimi po shkon sipas planit dhe pjesëmarrja e tij ndaj Deportivo de A Coruna nuk vihet në dyshim. Yamal po kalon një formë fantastike këtë sezon, duke regjistruar 13 gola dhe 13 asistime në 17 ndeshje si titullar në të gjitha garat.

