Francesco Totti ka folur hapur për zhgënjimet pas karrierës, duke kritikuar mënyrën se si e trajtoi Roma, klubi me të cilin lidhi gjithë karrierën e tij. Legjenda e verdhekuqve foli në një intervistë për emisionin “Belve” në Rai 2, që do të transmetohet të martën, më 25 nëntor.
“Do të doja që klubi të më respektonte më shumë”, tha ish-kapiteni, duke iu referuar periudhës kur kishte një rol drejtues në klub dhe largimit nga drejtuesit amerikanë. Për një rikthim eventual në Romë ai dha një përgjigje që do të zbulohet vetëm gjatë emisionit.
Totti pranoi se gjatë viteve të suksesit kishte pasur shumë njerëz që përfituan prej tij: “Anëtarë të familjes, miq, të afërm. Shumë prej tyre u ushqyen me mua. Nëse do të mundja, nuk do ta bëja përsëri.”
I emocionuar, ai foli edhe për babanë e tij të ndjerë. Tha se nuk i kishte thënë kurrë “të dua” dhe se i mungon përqafimi. Pranoi gjithashtu se po përsërit të njëjtin gabim me fëmijët e tij.
Për divorcin nga Ilary Blasi, i pyetur për deklaratën e ish-bashkëshortes se martesa nuk do t’i mbijetonte një tradhtie, Totti u përgjigj shkurt: “Ndodhi. Nuk mund ta fal.”/IndeksOnline/

