Trajneri i Al Nassr, Ange Postecoglou, ka dalë fuqishëm në mbrojtje të Sadio Manes, pasi një gazetar e vuri në pikëpyetje përkushtimin e sulmuesit senegalez ndaj klubit për shkak të mungesës në ndeshjen kundër Al Ahli.
Mané nuk ishte pjesë e skuadrës në humbjen 3-1, pasi kishte marrë leje për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, Aisha Tima, gjatë lindjes së fëmijës së tyre të dytë. Për trajnerin australian, kjo ishte një arsye më se e mjaftueshme dhe nuk duhej të vihej në diskutim.
Kur gazetari e pyeti për angazhimin e futbollistit, Postecoglou reagoi ashpër.
“A je baba? A ke fëmijë?”, e pyeti ai gazetarin. Pas përgjigjes negative, trajneri vazhdoi: “Ndoshta kjo është arsyeja pse po e bën këtë pyetje. Kur ke fëmijë, e kupton se është gjëja më e rëndësishme dhe bekimi më i madh që mund të kesh. Mané është pranë bashkëshortes së tij, ndërsa ajo po sjell në jetë një fëmijë. Asgjë në jetë nuk është më e rëndësishme se kjo”.
Postecoglou konfirmoi se vetë ia kishte dhënë lejen sulmuesit dhe nuk kurseu fjalët e mira për të.
“Po, ai e kishte lejen dhe bekimin tim. Sadio Mané është një nga njerëzit më të mirë në këtë botë. Mos e vini kurrë në dyshim atë apo përkushtimin e tij ndaj këtij klubi”, deklaroi trajneri.
Mane, milioneri që nuk e harroi vendlindjen
Fjalët e Postecoglou nuk janë të rastësishme, pasi Mané ka ndërtuar një reputacion të veçantë edhe jashtë fushës së futbollit.
I lindur në Bambali të Senegalit, sulmuesi nuk i harroi rrënjët e tij, pavarësisht suksesit dhe pasurisë së fituar gjatë karrierës. Ai investoi miliona euro për të përmirësuar jetën e banorëve të vendlindjes, duke financuar ndërtimin e një spitali dhe një shkolle.
Për spitalin ndau rreth 600 mijë euro, ndërsa për shkollën rreth 300 mijë euro. Ai ndihmoi gjithashtu në zhvillimin e infrastrukturës lokale, sigurimin e internetit dhe mbështetjen financiare për familjet në nevojë.
Gjatë pandemisë së COVID-19, Mané dhuroi edhe rreth 45 mijë euro për autoritetet shëndetësore të Senegalit.
Kontributi i tij u vlerësua edhe në nivel ndërkombëtar. Në vitin 2022, ai u bë fituesi i parë i Çmimit Sócrates në ceremoninë e Topit të Artë, një mirënjohje për angazhimin shoqëror dhe punën humanitare.
Një karrierë e madhe edhe në fushë
Mané është një prej futbollistëve më të suksesshëm afrikanë të gjeneratës së tij. Ai fitoi Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier me Liverpoolin, ndërsa me Senegalin triumfoi në Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2022, duke fituar trofeun e parë kontinental në historinë e vendit.
Gjatë karrierës ka luajtur edhe për Southamptonin dhe Bayern Munichun, ndërsa që nga viti 2023 është pjesë e Al Nassr, ku ndan skuadrën me Cristiano Ronaldon.
Në ndeshjen e fundit, Al Nassr pësoi humbje 3-1 nga Al Ahli. Ronaldo shënoi golin e vetëm të skuadrës, ndërsa vendasit përmbysën rezultatin në pjesën e dytë.
Megjithatë, përtej rezultatit, deklarata e Postecoglou riktheu në vëmendje një anë tjetër të futbollit: përkushtimi ndaj klubit nuk duhet të jetë në kundërshtim me familjen dhe momentet më të rëndësishme të jetës. /Telegrafi/

