Paris Saint-Germain po përballet me probleme të mëdha në repartin ofensiv pas lëndimeve serioze të Desire Doue dhe Khvicha Kvaratskhelia. Për këtë arsye, trajneri Luis Enrique po shqyrton mundësinë e përforcimit të skuadrës në afatin kalimtar të janarit, ndërsa emri i Julian Alvarez është përmendur si një zgjidhje e mundshme. Sulmuesi argjentinas vlerësohet për aftësinë për të luajtur në disa pozita të sulmit, por deri më tani nuk ka interesim të konfirmuar nga PSG.
Alvarez ka kontratë me Atletico Madridin deri në vitin 2030, ndërsa klubi spanjoll gjatë verës i kishte orientuar skuadrat e interesuara drejt klauzolës së lirimit prej 500 milionë eurosh. PSG kishte pasur kontakte me Atleticon muaj më parë, por bisedimet nuk avancuan. Argjentinasi së fundmi dha një asistim në fitoren 3:0 ndaj Getafes, ndërsa Luis Enrique vazhdon të kërkojë zgjidhje për mungesat në sulm.

