Diego Simeone ka thyer një rekord historik në La Liga, duke u bërë trajneri me më së shumti fitore në elitën e futbollit spanjoll.
Atletico Madridi triumfoi të dielën me rezultat 3-0 ndaj Getafes, në një ndeshje që për trajnerin argjentinas kishte një rëndësi të veçantë. Kjo ishte fitorja e tij e 345-të në 567 ndeshje në La Liga, duke kaluar legjendën e klubit, Luis Aragones, i cili kishte regjistruar 344 fitore, por në 189 ndeshje më shumë.
“Jam i lumtur. Zakonisht nuk gjej shumë arsye për të qenë i lumtur, por pas kësaj qëndron një punë e jashtëzakonshme”.
I pyetur për kritikat se skuadra e tij luan me një qasje tepër defensive, argjentinasi u përgjigj duke vënë në pah sukseset e arritura ndër vite.
“Ky është një kritikim i vazhdueshëm që na bëhet. Nuk i kushtoj shumë rëndësi, por e dëgjoj. Ekziston kjo narrativë se jemi ekip defensiv, sikur luajmë vetëm për t’u mbrojtur. Nuk mund t’i fitosh 345 ndeshje vetëm duke u mbrojtur. A është kjo e mundur?”.
Simeone është në krye të Atletico Madridit që nga dhjetori i vitit 2011, duke e shndërruar klubin në një nga forcat kryesore të futbollit spanjoll dhe evropian.
Nën drejtimin e tij, Atletico ka fituar dy tituj të La Ligës, në vitet 2014 dhe 2021, një Kupë të Mbretit, dy Superkupa të Evropës dhe një Ligë të Evropës.
Argjentinasi e ka dërguar skuadrën edhe në dy finale të Ligës së Kampionëve, në vitet 2014 dhe 2016, por në të dyja rastet është mposhtur nga rivali lokal, Real Madridi.
Atletico ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në çdo sezon të plotë nën drejtimin e tij, ndërsa kontrata aktuale e Simeones skadon në fund të këtij sezoni./Telegrafi/

