Hailey Bieber ka reaguar ndaj komenteve ironike në rrjetet sociale, pasi intervista e saj e fundit për The New York Times u bë virale dhe shkaktoi diskutime për mënyrën se si iu përgjigj pyetjeve rreth biznesit të saj, Rhode Beauty.
Modelja 30-vjeçare mori pjesë në Samitin DealBook të The New York Times, ku foli për suksesin e markës së saj të kozmetikës dhe marrëveshjen e shitjes së saj te kompania elf Beauty, në vitin 2025, për një vlerë që mund të arrijë në 1 miliard dollarë.
Gjatë bisedës, Hailey u shpreh se kishte vendosur të mos e shiste markën për më pak se një miliard dollarë, duke e cilësuar fillimisht këtë objektiv si diçka thuajse të pamundur.
Ajo shtoi se një pjesë e suksesit lidhej me atë që e quajti një iluzion optimist.
Pikërisht kjo deklaratë u bë objekt talljeje në internet. Disa përdorues e kritikuan për përgjigjet që i konsideruan sipërfaqësore dhe pretenduan se nuk ishte mjaftueshëm e përgatitur për një intervistë me fokus biznesin.
Hailey iu përgjigj në mënyrë indirekte kritikave përmes Instagramit. Ajo publikoi përkufizimin e fjalës optimist nga fjalori, duke e shoqëruar imazhin me fjalët: Sidoqoftë…
Gjatë së njëjtës intervistë, modelja foli edhe për periudhën e vështirë që përjetoi për shkak të sulmeve dhe komenteve negative në internet, të lidhura me rivalitetin e përfolur mes saj dhe Selena Gomez.
Ajo tregoi se kishte marrë edhe kërcënime me vdekje dhe se në atë periudhë ishte ndier aq e rënduar nga reagimet e njerëzve, sa kishte menduar se ndoshta do të ishte më mirë të mos ishte më aty.
Hailey dhe Selena i kishin hedhur poshtë publikisht thashethemet për një konflikt mes tyre, duke u kërkuar ndjekësve të ndalonin sulmet dhe ngacmimet. /Telegrafi/

