Pas dy koncerteve të suksesshme, “E kuqja dhe e Zeza” dhe “Zonjat e Kangës”, këngëtarja dhe aktorja Edona Reshitaj rikthehet para publikut me koncertin e saj të tretë recital, “DRITË N’HIJE”, i cili do të mbahet më 7 dhjetor 2026, në AMC Hall në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.
“DRITË N’HIJE” është një projekt artistik që shkon përtej një performance të zakonshme muzikore, duke e shndërruar skenën në një hapësirë rrëfimi, emocionesh, kujtese dhe reflektimi. Një koncert ku muzika nuk është vetëm tingull, por edhe mesazh, ndjenjë dhe histori.
Me një atmosferë intime dhe elegante, të frymëzuar nga fryma e muzikës jazz, Edona do të interpretojë e shoqëruar nga një orkestër e jashtëzakonshme live, duke sjellë një repertor të përzgjedhur prej 12 këngësh.
Krijime muzikore origjinale dhe këngë të bukura shqipe, disa prej të cilave kanë mbetur në hije ndër vite, do të marrin dritë në skenën e AMC Hall.
Nga këngët e vjetra shqipe, të risjella përmes përpunimeve që ruajnë dhe përcjellin trashëgiminë tonë kulturore, te krijimet origjinale që trajtojnë kauza me rëndësi shoqërore, këngët e dashurisë dhe ato festive, koncerti ndërton një mozaik të pasur artistik dhe një përjetim shumëdimensional, ashtu siç është edhe vetë artistja.
Koncepti i koncertit ndërthur muzikën, interpretimin dhe ndjeshmërinë teatrale të Edonës, duke krijuar një lidhje të veçantë mes artistes dhe publikut. Përmes një koncepti skenik të kuruar me kujdes, dritës, atmosferës dhe tingullit të orkestrës live, secila këngë do të ketë hapësirën e saj për të rrëfyer një histori.
Ashtu si dy koncertet e mëparshme, edhe “DRITË N’HIJE” synon të shënojë një ngjarje të veçantë në jetën kulturore të vendit, duke i ofruar publikut jo vetëm një mbrëmje muzikore, por një përvojë artistike që mbetet gjatë në kujtesë.

