Sulmuesi senegalez Mbaye Diagne ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së klubit turk Amedspor, duke shprehur pakënaqësinë e tij për trajtimin që ka marrë gjatë qëndrimit në skuadër.
Diagne, bashkëlojtar i futbollistëve të Kosovës, Dellova dhe Krasniqi, te Amedspor, skuadër që drejtohet nga trajneri shqiptar Besnik Hasi, ka bërë akuza të rënda ndaj drejtuesve të klubit, shkruan Indeksonline
Ai ka deklaruar se për pesë muaj ka luajtur pa u paguar, por se nuk ka bërë asnjë ankesë, duke theksuar se gjithmonë ka dhënë maksimumin për klubin.
“Kam luajtur për pesë muaj pa marrë pagë. Nuk thashë asnjë fjalë. Ju kam ndihmuar gjithmonë sa kam mundur dhe gjithçka e kam bërë me zemër”, ka shkruar Diagne.
🚨 Diagne'den, Amedspor'un açıklamasına yanıt:
"5 ay boyunca maaş almadan oynadım. Tek kelime etmedim. Her zaman mümkün olduğunca size yardım ettim. Her şeyi kalbimle yaptım. Şimdi Süper Lig'desiniz diye hepiniz uyanıklık yapmaya çalışıyorsunuz. Ben kendimle gurur duyuyorum.… pic.twitter.com/4wwjNufDc2
— FutbolArena (@futbolarena) November 22, 2026
Sulmuesi senegalez ka bërë të ditur se, sipas tij, Amedspor i detyrohet financiarisht, ndërsa ka akuzuar drejtuesit e klubit se po përpiqen ta paraqesin atë si fajtor para tifozëve.
“E dini shumë mirë se sa më keni borxh. Unë ia dhashë shpirtin dhe përvojën time Amedsporit. Tani po më quani gënjeshtar. Nuk do të lejoj kurrë që emri im të njolloset”, ka deklaruar ai.
Në fund, Diagne ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke bërë të ditur se marrëdhënia e tij me klubin ka marrë fund.
“Që nga sot, më keni humbur si tifoz, si lojtar dhe si vëlla. Kur të largohem nga këtu, do ta bëj me kokën lart”, ka përfunduar sulmuesi./Indeksonline/

