Bayern Munich do të jetë pa Harry Kane për një periudhë të gjatë.
Sulmuesi anglez ka pësuar një lëndim serioz në kyçin e këmbës së majtë dhe parashikimet flasin për rreth tre muaj mungesë, një lajm tejet i keq për kampionët gjermanë.
Kane u lëndua në përballjen me Kolnin, duke u larguar nga fusha që në minutën e 20-të.
Pas ekzaminimeve, u konstatua dëmtimi i ligamentit të sindesmozës, ndërsa ndërhyrja kirurgjikale rezultoi e suksesshme.
Situata është edhe më shqetësuese për Vincent Kompanyn, pasi Bayerni ka probleme edhe me futbollistë të tjerë ofensivë.
Lëndimet e lojtarëve si Serge Gnabry dhe Luis Diaz, si dhe problemi fizik i Michael Olise, e kanë vështirësuar situatën në repartin e sulmit.
Tashmë, drejtuesit bavarezë duhet të vendosin nëse do të ndërhyjnë në tregun e janarit për të transferuar një qendërsulmues.
Mungesa e Kane mund të detyrojë klubin të kërkojë një zgjidhje të përkohshme për muajt e ardhshëm. /Zëri

