Ambasada e Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë informon se në kuadër të Javës Evropiane të Shqipërisë në Berlin u zhvillua shfaqja teatrale për fëmijë “Pse u zemëruan shkronjat?”.
Në ditën që përkujton alfabetin shqip, përmes interpretimit dhe kreativitetit, fëmijët shqiptarë në Berlin sollën në skenë një shfaqje të veçantë, duke përcjellë mesazhe mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe, veçanërisht te brezat e rinj që rriten larg atdheut.Sipas njoftimit të ambasadës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, shfaqja erdhi si iniciativë e diasporës shqiptare në Berlin, e ideuar nga regjisorja Besarta Shala Fejza me asistencën e Bashkim Shalës dhe mbështetjen e ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Aktiviteti u përshëndet nga ambasadorja e Shqipërisë, Adia Sakiqi dhe ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti, të cilët vlerësuan rëndësinë e nismave që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Një kontribut artistik në këtë veprimtari dha edhe ansambli “Shqiponja” Berlin, nën drejtimin e Nadës dhe Serxhos, duke e pasuruar më tej programin kulturor.
“Në këtë ditë kushtuar alfabetit shqip, protagonistët e vegjël përcollën një mesazh të rëndësishëm: gjuha shqipe mbetet një urë lidhëse mes brezave dhe një pjesë e pazëvendësueshme e identitetit tonë kombëtar, kudo ku jetojnë shqiptarët”, thuhet në njoftim./atsh

