Një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga një zjarr në garazhin e një ndërtese banimi në Menziken, në kantonin Aargau të Zvicrës, ka shkaktuar panik te banorët të shtunën në mbrëmje. Një person ka pësuar djegie të shkallës së mesme dhe është transportuar me helikopter në spital.
Në mesin e dëshmitarëve të ngjarjes ishte edhe Fadili (49), një shqiptar nga Kosova, i cili në një rrëfim për gazetën zvicerane 20 Minuten ka përshkruar momentet dramatike pas shpërthimit, duke i krahasuar ato me përjetimet gjatë Luftës së Kosovës.
“Ne ishim jashtë për një shëtitje dhe u kthyem në shtëpi rreth orës 18:30. Papritur dëgjova një shpërthim të madh”, ka treguar 49-vjeçari, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, pak çaste më vonë është dëgjuar edhe një shpërthim tjetër, ndërsa tymi ka filluar të përhapej në ndërtesë.
“Unë jetoj në katin e tretë dhe tymi arriti deri atje”, ka rrëfyer ai.
Por ajo që e ka tronditur më së shumti kanë qenë britmat për ndihmë që janë dëgjuar menjëherë pas shpërthimeve.
“Dikush bërtiti për ndihmë tri herë. Ishte e tmerrshme. U ndjeva sikur në Luftën e Kosovës në vitet 1990”, ka deklaruar Fadili.
Ai ka përshkruar panikun që kishte përfshirë banorët, të cilët nuk e dinin se çfarë po ndodhte dhe kishin frikë nga shpërthime të tjera.
“Askush nuk e dinte çfarë po ndodhte. Të gjithë ishin në panik. Britmat tingëllonin sikur dikush po vdiste”, ka thënë ai.
Sipas 49-vjeçarit, banorët kanë dalë menjëherë jashtë ndërtesës, nga frika se mund të ndodhnin shpërthime të tjera.
Pak më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat i kanë ofruar ndihmë një burri që kishte pësuar djegie të shumta.
“Ai ishte djegur nga koka te këmbët. Më vjen shumë keq për familjen e tij. Është kaq e tmerrshme”, ka rrëfyer Fadili.
Ai ka treguar gjithashtu se partnerja e burrit të lënduar ndodhej në gjendje shoku pas ngjarjes.
“Fola me të sepse doja t’i shprehja keqardhjen time”, ka thënë 49-vjeçari.
Dëshmitarët përshkruajnë panikun pas shpërthimit
Përveç Fadilit, edhe banorë të tjerë kanë rrëfyer momentet e frikshme që përjetuan atë mbrëmje.
William (47), i cili ishte ndër të parët që ofroi ndihmë në vendngjarje, ka treguar se zjarri po përhapej vazhdimisht dhe se fillimisht e kishte të vështirë të besonte atë që po shihte, përcjell Telegrafi.
“Zjarri vazhdonte të përhapej. Në fillim, nuk mund ta besoja atë që po shihja. U përpoqa menjëherë ta shuaja zjarrin”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, të gjithë banorët e kishin dëgjuar shpërthimin dhe ishin larguar nga ndërtesa.
“Të gjithë e kishin dëgjuar shpërthimin. Askush nuk mund ta besonte se diçka kaq e tmerrshme kishte ndodhur në lagjen e tyre”, ka shtuar William.
Një banore tjetër, 39-vjeçare, ka treguar se kishte dëgjuar dy shpërthime të fuqishme, të cilat e kishin tmerruar.
“Fillimisht dëgjova dy shpërthime të forta dhe u tmerrova”, ka rrëfyer ajo, duke e krahasuar fuqinë e shpërthimeve me një tërmet.
Nga paniku, ajo kishte dalë nga apartamenti pa marrë as xhaketën. Më vonë, zjarrfikësit i kishin dhënë një batanije, pasi për disa orë nuk kishte mundur të kthehej në banesën e saj.
39-vjeçarja ka treguar se edhe pasi ishte kthyer në shtrat, nuk kishte arritur të flinte, pasi pamjet e ngjarjes vazhdonin t’i riktheheshin në mendje.
Një nga pamjet që e kishte tronditur më së shumti ishte ajo e burrit të lënduar, i cili, pas marrjes së ndihmës mjekësore në vendngjarje, ishte transportuar me helikopterin e shpëtimit Rega drejt spitalit.
Policia: Shkaku i shpërthimit ende i paqartë
Ndërkohë, rrethanat që çuan deri te shpërthimi dhe zjarri në garazhin e ndërtesës mbeten ende të paqarta.
Policia Kantonale e Aargaut ka bërë të ditur se specialistët janë duke hetuar shkakun e ngjarjes.
“Shkaku i saktë i shpërthimit dhe zjarrit është aktualisht i paqartë dhe po hetohet nga specialistët”, ka deklaruar policia.
Autoritetet zvicerane kanë theksuar gjithashtu se, pavarësisht shpërthimit dhe zjarrit, në asnjë moment nuk ka pasur rrezik për publikun./Telegrafi/

