Portieri i Arsenalit, David Raya, mund të përballet me një mungesë të gjatë nga fushat e futbollit, pas një dëmtimi në shpatullën e majtë të pësuar në ndeshjen e kaluar ndaj Newcastle United.
Gjendja e portierit spanjoll po shqyrtohet me kujdes nga stafi mjekësor i klubit londinez, ndërsa ai pritet t’i nënshtrohet një rezonance magnetike (MRI), për të përcaktuar shkallën e saktë të dëmtimit.
Sipas raportimeve të mediave sportive, ekziston shqetësimi se lëndimi mund të jetë serioz, por ende nuk ka një diagnozë përfundimtare që përcakton kohën e rikuperimit.
Sipas raportimeve, në rast të një dëmtimi të lehtë, Raya mund të rikthehet pas disa javësh, ndërsa një dëmtim më i rëndë i nyjës së shpatullës mund ta mbajë jashtë fushave për muaj të tërë shkruan Indeks Online.
Në rast se konfirmohet këputje serioze dhe nevojitet ndërhyrje kirurgjikale, ekziston rreziku që ai të mos luajë më këtë sezon. Megjithatë, ky skenar mbetet i pakonfirmuar dhe gjithçka do të varet nga rezultatet e ekzaminimeve mjekësore.
Arsenali tashmë është në pritje të rezultateve, në një periudhë të rëndësishme të sezonit, ku e pret një kalendar i ngjeshur në Premier League dhe Ligën e Kampionëve.
Trajneri Mikel Arteta ka konfirmuar se Raya do t’i nënshtrohet rezonancës magnetike, ndërsa për momentin nuk ka dhënë një afat për rikthimin e tij./IndeksOnline/
Ian Wright and Jamie Redknapp on why David Raya coming off injured vs Newcastle is a massive worry for Arsenal 🧤 https://t.co/Yuq7aTHKDp
— Sky Sports Premier League (@SkySportsPL) November 21, 2026

