Vizita e Jakup Krasniqit në Kosovë përfundoi, deputetët nga të gjitha partitë shprehin solidaritet me familjen.
Është përmbyllur vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë, i cili do të kthehet në Hagë, ku po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Krasniqi kishte marrë leje të posaçme për të qëndruar pranë familjes, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi. Largimi i tij nga shtëpia në Prishtinë u përcoll me emocione, lot dhe përqafime me familjarët.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai u shoqërua me masa të shtuara sigurie nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Vizita nxiti reagime solidarizuese nga deputetë e përfaqësues politikë të subjekteve të ndryshme shqiptare, përfshirë LVV-në, PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shprehu mbështetjen për Krasniqin dhe familjen e tij, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimi për drejtësi dhe lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së.
“Me shumë dhimbje dhe bashkëndjejë po e përcjellim ardhjen e bacës Jakup Krasniqi në Kosovë…Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm”, ka shkruar Haxhiu.
“Sot, më shumë se çdo herë më parë, jemi pranë dhe në mbështetje të zonjës Sevdije dhe bacës Jakup, në këto kohë të vështira për ta dhe për të gjithë familjen Krasniqi”, ka deklaruar deputetja tjetër e LVV-së Shqipe Selimi.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, i krahasoi pamjet e vizitës me skenat e filmit “Një pallto për babain tim”, duke shprehur indinjatën për atë që e konsideroi si burgosje politike.
“Kush do ta kishte menduar se, pas gjithë këtyre dekadave, pas rënies së kaq shumë dëshmorëve dhe sakrificave të panumërta për liri, do të përjetonim sërish edhe burgosje politike për vetë lirinë që gëzojmë sot?!”, ka shkruar deputeti tjetër i LVV, Ilir Kërqeli.
Edhe deputeti tjetër i LVV-së, Egzon Azemi, kritikoi krijimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “Gjykatë të padrejtësisë speciale”, ndërsa Krasniqit i uroi shëndet.
Edhe nga PDK-ja, shumë deputetë shprehën solidaritet me familjen Krasniqi, duke thënë se do të vazhdojnë përpjekjet që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së kryetares, Vlora Çitaku, tha se Krasniqi dhe bashkëluftëtarët e tij nuk do të lihen vetëm dhe se do të bëjnë gjithçka që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë, të lirë dhe krenarë.
“Baca Jakup, na emocionove shumë kur të pamë sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes, qoftë edhe vetëm për pak orë. Mbahuni të fortë, se edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm”, ka shkruar Çitaku.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se pamjet e katër ditëve të Krasniqit pranë familjes kanë prekur thellë, duke përmendur veçanërisht përqafimet dhe momentet e ndarjes.
Ai bëri thirrje që shoqëria dhe institucionet të vazhdojnë mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.
Edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, reagoi me një mesazh të shkurtër drejtuar Krasniqit:
“Baci Jakup, na fal që nuk po dimë më mirë…Çlirimtarë përjetë”.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, vuri në pah sakrificën e grave shqiptare që, gjatë luftës dhe periudhave të burgosjeve, mbajtën familjet dhe përballuan mungesën e bashkëshortëve.
“Zonja Krasniqi sot përfaqëson dhjetëra mijëra gra shqiptare që, në kohët më të vështira, mbajtën familjet, rritën fëmijët dhe përballuan dhimbjen e mungesën, ndërsa burrat e tyre ishin në burgje, përballeshin me tortura apo ishin në luftë”.
Reagime pati edhe Aleanca.
Zyrtari i saj tha se do të kishte sakrifiku edhe nga jeta për bacin Jakup.
“Mjekrra e bardhë dhe rrudhat tua tregojnë rrugën e gjatë e të vështirë që e pati kombi ynë. S’di çka të them për ty, përpos që e kisha nda një pjesë të jetës me të zëvendësu, Baca Jakup. Burri i urtë dhe ideologu i shtetësisë sonë”, shkroi Haradinaj.
Bilall Sherifi i Nismës kritikoi atë që e cilësoi si mungesë veprimi për përfundimin e procesit, duke thënë se është koha që thirrjet për durim të zëvendësohen me veprime konkrete./Telegrafi/

