Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sonte në Bruksel, ku është takuar me bashkatdhetarë dhe bashkëveprimtarë të LDK-së.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për pritjen dhe bisedat që pati me ta, duke thënë se në mesin e tyre u ndje si në shtëpi, transmeton IndeksOnline.
Ai ka vlerësuar kontributin e mërgatës në historinë e Kosovës, duke theksuar se një pjesë e historisë së vendit është shkruar pikërisht nga njerëzit që jetuan larg Kosovës, por që u angazhuan për fatin e atdheut.
Abdixhiku ka falënderuar degën e LDK-së në Beneluks për organizimin e Darkës së Lamës, ku bashkatdhetarët u mblodhën rreth sofrës, në një traditë që, sipas tij, përçon kulturën shqiptare edhe përtej kufijve të Kosovës.
“E çmoj besimin tuaj dhe e di mirë çfarë përgjegjësie më ngarkon”, ka shkruar Abdixhiku, duke iu drejtuar bashkatdhetarëve të pranishëm.
Ai ka vlerësuar se tradita e shtrimit të sofrës për të tjerët është ndër zakonet më të bukura të popullit shqiptar, ndërsa organizime të tilla në mërgatë bëjnë që kultura shqiptare të bëhet pjesë e jetës edhe në qytetet ku bashkatdhetarët jetojnë.

