Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se projekti i banimit të përballueshëm dhe social në Pejë po shkon drejt përfundimit, ndërsa punimet po vazhdojnë edhe në Istog, Podujevë dhe Gjilan.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka njoftuar se në Kamenicë projekti ndodhet në procedurë të prokurimit për lidhjen e kontratës, kurse në Shtime dhe Obiliq është në fazën e hartimit të projekteve.
“Ashtu siç jemi zotuar, qeveria jonë do të jetë gjithmonë pranë familjeve, çifteve të reja dhe atyre në nevojë”, ka shkruar Kurti.
Sipas shkrimit të tij, projektet synojnë të sigurojnë banim të përballueshëm dhe social për familjet dhe qytetarët që kanë nevojë për mbështetje në këto komuna.
Burimi: dukagjini.com ↗

