Barcelona përballet me një sfidë në një orar jo të zakonshëm, atë të orës 14:00, ku bilanci i saj nuk është aspak bindës.
Nga shtatë ndeshjet e zhvilluara në këtë termin që prej ndryshimit të kalendarit nga La Liga në vitin 2020, katalanasit kanë fituar vetëm tri.
Skuadra e Hansi Flickut do ta presë Villarrealin në Spotify Camp Nou, në një orar që Barcelona nuk e ka pasur më shumë se dy herë brenda një sezoni.
Përqindja e fitoreve në këto takime është vetëm 42.8 për qind, ndërsa ndeshja me Villarrealin do të jetë e para për katalanasit këtë sezon në sesionin e parë të ditës.
Që nga ardhja e Flickut, Barcelona ka luajtur tri herë në orën 14:00.
Dy përballjet e fundit, sezonin e kaluar, i ka fituar me rezultat minimal: 1:0 ndaj Rayo Vallecanos, me golin e Ronald Araujos, dhe ndaj Alavesit, falë realizimit të Robert Lewandowskit.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër pësoi humbje 1:2 nga Las Palmas, pavarësisht golit të Raphinhas, në 125-vjetorin e klubit.
Me Xavi Hernandezin në stol, Barcelona barazoi 1:1 me Rayo Vallecanon dhe po me këtë rezultat përfundoi edhe derbi ndaj Espanyolit në sezonin 2022/23.
Serinë prej katër ndeshjesh pa fitore në këtë orar e kishte nisur Ronald Koemani, me barazimin 1:1 ndaj Cadizit.
Një nga kujtimet më të bukura mbetet fitorja 4:0 ndaj Osasunës në sezonin 2020/21, kur Lionel Messi shënoi dhe festoi me fanellën e Newell’s Old Boys, në nderim të Diego Armando Maradonës. /Zëri

