Malisheva është rikthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në futboll, duke e mposhtur Dukagjinin me përmbysje, me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së 14-të.
Skuadra klinase e nisi më mirë ndeshjen në stadiumin “Liman Gegaj” dhe arriti të kalojë e para në epërsi në pjesën e parë, kur Dienit Isufi shënoi për 0:1, transmeton IndeksOnline.
Megjithatë, fraksioni i dytë foli tërësisht për vendasit, të cilët reaguan fuqishëm dhe arritën të përmbysin gjithçka në favor të tyre.
Fillimisht, Uka barazoi shifrat në 1:1, duke e rikthyer skuadrën e tij në lojë. Momenti vendimtar i takimit ndodhi më pas, kur pas rishikimit të situatës në sistemin VAR, Egzon Sinani i Dukagjinit u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa gjyqtari akordoi penallti për vendasit.
Nga pika e bardhë i pagabueshëm u tregua Dreni Kryeziu, i cili realizoi për 2:1 dhe vulosi fitoren e rëndësishme të Malishevës, që me këto tre pikë vazhdon të mbajë hapin e kreut të tabelës. /IndeksOnline

