Një grup studentësh kanë njoftuar sot krijimin e Lëvizjes Studentore Kombëtare, një organizim që synon të jetë i pavarur dhe të vijojë protestat qytetare, duke kërkuar ndryshime në sistemin politik, arsim cilësor, mundësi punësimi dhe llogaridhënie nga institucionet.
Përmes një deklarate publike, studentët theksojnë se lëvizja nuk synon të zëvendësojë protestën qytetare, por të forcojë atë me propozime konkrete që lidhen me të ardhmen e të rinjve në Shqipëri.
“Lëvizja studentore kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj. Si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Studentët rikujtojnë se protestat qytetare kanë nisur më 31 maj 2026, ndërsa nga 13 tetori, me pjesëmarrjen masive të gjimnazistëve dhe studentëve, ato kanë hyrë në një fazë të re.
Ata kërkuan hetim të pavarur dhe transparent për çdo rast të dhunës joproporcionale të policisë të ushtruar gjatë protestave ndaj të rinjve dhe qytetarëve që protestonin paqësisht.
“Kërkojmë hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent të çdo pretendimi për përdorim joproporcional të forcës, si dhe respektimin e plotë të të drejtës për protestë paqësore”, theksojnë studentët.
Një nga mesazhet kryesore të lëvizjes lidhet me largimin e të rinjve nga vendi dhe krijimin e kushteve për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
“Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë, studentët theksojnë gjithashtu rëndësinë e debatit të hapur dhe të përfshirjes së qytetarëve në diskutimet për të ardhmen e vendit. “Mbrojmë debatin e hapur, pluralizmin, protestën paqësore dhe të drejtën për të protestuar”, shprehen ata, duke njoftuar se do të paraqesin për diskutim publik propozimet e tyre për ndryshime politike dhe institucionale.
Lëvizja njofton se do të paraqesë për diskutim publik propozime për ndryshime politike dhe institucionale, të hartuara në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë.
“Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien”, shprehen studentët.
Në deklaratë theksohet se organizimi nuk ka kryetar dhe se synimi është përfshirja e sa më shumë studentëve në diskutime dhe vendimmarrje.
“Ky organizim, nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni”, thuhet në thirrjen drejtuar studentëve.
Në përfundim, Lëvizja Studentore Kombëtare thekson se do të ndërmarrë nisma dhe projekte konkrete për realizimin e kërkesave të saj, duke mbrojtur protestën paqësore, pluralizmin dhe debatin e hapur.
“Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë. Duam të ndërtojmë një të ardhme këtu, dhe duam të kemi një rol aktiv në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë, ku të rinjtë nuk kanë pse të ikin”, përfundon deklarata.

