Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka miratuar mundësinë e transferimit të mbrojtësit të Manchester Cityt, Josko Gvardiol, gjatë afatit kalimtar të janarit.
Skuadra katalanase është në kërkim të një qendërmbrojtësi këmbëmajtë dhe reprezentuesi kroat shihet si profili ideal që i përshtatet kërkesave taktike të teknikut gjerman, transmeton IndeksOnline.
Megjithatë, sigurimi i shërbimeve të tij nuk pritet të jetë aspak i lehtë, për shkak të çmimit të lartë në treg dhe rëndësisë së madhe që Gvardiol ka në planet e Manchester Cityt.
Sipas mediumit katalanas El Nacional, Gvardiol është një prej emrave që Flick e vlerëson lart për përforcimin e repartit defensiv, ndonëse realizimi i operacionit mbetet shumë i vështirë.
Gjithsesi, Barcelona mund ta rishqyrtojë seriozisht ofensivën për kroatin nëse çështja financiare ndaj Manchester Cityt përfundon me sanksione që do të ndikonin drejtpërdrejt në planet dhe stabilitetin e klubit anglez, proces për të cilin ende nuk ka një vendim përfundimtar.

