Kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka reaguar me një mesazh emocionues lidhur me gjendjen e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si padrejtësi ndaj tij dhe ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Gucati ka theksuar se është e dhimbshme të shihet një njeri që, sipas tij, ia kushtoi jetën Kosovës, lirisë dhe dinjitetit të saj, duke u përballur sot me vështirësi të tilla, raporton IndeksOnline.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për kufizimet në takimet familjare, duke vënë në pah se Jakup Krasniqi nuk po mund të ketë lirinë e plotë për të takuar të afërmit e tij.
Në reagimin e tij, Gucati ka bërë të ditur se këto ditë Krasniqi ndodhet në Kosovë për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi, e cila po përballet me probleme shëndetësore.
Me këtë rast, ai i ka uruar asaj shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e saj ndër vite.
”Këto ditë ai ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, zonjës Sevdije, e cila nuk është mirë me shëndet. Një grua e fortë, e palodhur dhe e devotshme, e cila ka mbajtur mbi supe peshën e sakrificave të pafundme. Me gjithë zemër i urojmë zonjës Sevdije shëndet të plotë dhe shërim sa më të shpejtë. Zoti e forcoftë dhe e mbroftë”.
“Dhe me të njëjtën shpresë e besim të palëkundur, urojmë dhe presim që padrejtësia ndaj Bacit Jakup dhe ndaj të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë të marrë fund sa më shpejt. E vërteta e luftës sonë të drejtë e të pastër nuk mund të mbulohet përgjithmonë nga padrejtësia!”, ka shkruar ai.

