KORREKT / SOT21 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Arrestohet El Chapo Isidro – një nga bosët më të kërkuar të drogës në botë

Arrestohet El Chapo Isidro – një nga bosët më të kërkuar të drogës në botë

Ushtria meksikane raportohet se ka arrestuar një nga bosët më të kërkuar të drogës në botë, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si El Chapo Isidro.

Arrestimi raportohet se ka shkaktuar përleshje të armatosura në shtetin Sinaloa, ndërsa të shtënat me armë kanë ndërprerë edhe një ndeshje bejsbolli.

Disa media meksikane raportuan se Meza Flores, i cili ndodhet në listën e dhjetë të arratisurve më të kërkuar nga FBI-ja, është arrestuar gjatë një operacioni ushtarak në qytetin Guasave.

Autoritetet meksikane ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht arrestimin.

Kush është El Chapo Isidro?

Meza Flores udhëheq organizatën kriminale të njohur si Los Mazatlecos ose karteli Meza-Flores, e cila vepron në zonën e Guasaves. Autoritetet amerikane e akuzojnë për organizimin e kontrabandimit të sasive të mëdha të drogës drejt SHBA-së.

Sipas urdhër-arrestit të FBI-së, ai dyshohet për kontrabandim dhe shpërndarje të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marihuanës. Për informacione që do të çonin në arrestimin e tij, autoritetet amerikane kanë ofruar shpërblim prej pesë milionë dollarësh.

Prokuroria amerikane ka ngritur aktakuza ndaj tij në vitet 2012 dhe 2019 për trafikim droge. Aktakuza e mëvonshme përfshin edhe posedimin e paligjshëm të armëve të zjarrit.

Departamenti amerikan i Thesarit kishte paralajmëruar që në vitin 2013 se organizata e tij ishte përfshirë në një konflikt jashtëzakonisht të dhunshëm territorial me kartelin rival Sinaloa, i cili në atë kohë drejtohej nga Joaquín “El Chapo” Guzmán.

Helikopterët ushtarakë qëlluan mbi qytet

Operacioni i ushtrisë meksikane të premten shkaktoi përleshje të ashpra të armatosura në Guasave, në shtetin Sinaloa. Në rrugët e qytetit u përplasën forcat e sigurisë me pjesëtarë të armatosur të grupeve kriminale.

Në pamjet e verifikuara nga CNN shihen helikopterë, që besohet se u përkasin forcave meksikane të sigurisë, duke fluturuar mbi qytet dhe duke qëlluar drejt objektivave në tokë.

Autoritetet lokale konfirmuan se persona të armatosur kishin sulmuar pjesëtarët e forcave federale të sigurisë. Megjithatë, fillimisht nuk publikuan të dhëna për viktima apo të plagosur gjatë përleshjeve.

Të shtënat ndërprenë ndeshjen e bejsbollit

Të shtënat shkaktuan panik edhe në stadiumin Kuroda Park, ku po zhvillohej ndeshja e bejsbollit mes ekipeve Venados de Mazatlán dhe Algodoneros de Guasave. Spektatorët nisën të largoheshin me vrap nga tribunat.

“Uluni, përkuluni, poshtë, poshtë!”, bërtiste një person, ndërsa njerëzit kapërcenin barrierat dhe kërkonin strehim. Në pamjet e verifikuara nga CNN dëgjohet edhe e qara e një foshnje mes të shtënave.

Transmetimi zyrtar televiziv tregoi se lojtarët e të dy ekipeve u larguan nga fusha në mes të ndeshjes. Komentatorët njoftuan se takimi po ndërpritej për shkak të një incidenti të sigurisë jashtë stadiumit.

Një banor i Guasaves i tha CNN-it se persona të armatosur kishin marrë nën kontroll spitale private, ndërsa sulmuesit kishin djegur dyqane dhe pika karburanti. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Banori, i cili kërkoi të mbetej anonim për arsye sigurie, tha se ishte detyruar të strehohej në disa dyqane që kishin mbyllur grilat mbrojtëse shumë përpara orarit të mbylljes. Sipas tij, disa njerëz kishin mbetur të bllokuar brenda tyre.

Qeveria e shtetit Sinaloa u bëri thirrje banorëve të Guasaves të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të shmangin rrugët gjatë operacionit të sigurisë. Në terren u dërguan forca shtesë policore dhe ushtarake.

Deri në publikimin e raportimit, autoritetet meksikane nuk kishin konfirmuar zyrtarisht arrestimin e Meza Floresit. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.