Presidenti amerikan, Donald Trump, ka komentuar incidentin e fundit në Poloni, ku gjatë një sulmi masiv rus ndaj Ukrainës, dy raketa dhe një dron hynë në hapësirën ajrore polake dhe ranë në territorin e këtij shteti.
Në një prononcim për televizionin “Fox News”, lideri amerikan u shpreh se presidenti rus, Vladimir Putin, ka dërguar dronë dhe disa raketa në Poloni, por sipas tij, ky veprim ka ndodhur pa qëllim, transmeton IndeksOnline.
“Putini ka dërguar dronë në Poloni dhe disa raketa të vogla, gabimisht”, deklaroi Trump.
Megjithatë, autoritetet në Varshavë nuk ndajnë të njëjtin mendim, duke e cilësuar incidentin si një tjetër provokim rus dhe duke mos e përjashtuar mundësinë që koha e këtij veprimi të mos ketë qenë e rastësishme.
Lidhur me detajet e incidentit, ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, konfirmoi se njëra prej raketave ishte e tipit “Kh-101”, objekti i dytë besohet të ketë qenë po ashtu raketë, ndërsa objekti i tretë dyshohet të ketë qenë një dron me motor reaktiv.
Trump to Fox News:
Putin has been landing drones in Poland and a couple of little missiles, by mistake. pic.twitter.com/C9WsyrStwP
— Clash Report (@clashreport) November 20, 2026
Të tri objektet ranë në lokacione të ndryshme në lindje dhe juglindje të Polonisë – konkretisht në Nowy Lipowiec, Rudnik nad Sanem dhe Mołodycz. Sipas autoriteteve polake, fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe as dëme në infrastrukturën kritike.
Si masë reagimi, ushtria polake ngriti menjëherë në ajër avionët luftarakë “F-16”, në një operacion ku morën pjesë edhe aeroplanë suedezë “Gripen”, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore, përfshirë ato “Patriot”, u vunë në gatishmëri të lartë.
Incidenti ndodhi në një kohë kur në Poloni po zhvilloheshin stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e trupave nga 11 shtete të “Koalicionit të Vullnetit”, të cilat po testonin planet për një mision të mundshëm në Ukrainë pas përfundimit të luftës. /IndeksOnline/

