Një futbollist vetëm 14-vjeçar mund të thyejë rekorde në Ligue 1 dhe në futbollin francez. Bëhet fjalë për talentin franko-portugez Thymeo Hanyurwimana Ferreira Cruz, i cili po zhvillohet me hapa të jashtëzakonshëm dhe ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
Klubi i tij, Rennes, dëshiron t’i ofrojë një kontratë për t’u aktivizuar me ekipin e parë, ndonëse ai ende nuk i ka mbushur 15 vjet. Përmes kësaj lëvizjeje, klubi francez synon gjithashtu të sigurojë shërbimet e tij për një periudhë afatgjatë dhe të shmangë interesimin e skuadrave të tjera të mëdha evropiane.
I lindur më 5 prill 2012, Thymeo normalisht do të duhej të luante me ekipin U15, por Rennes tashmë e ka promovuar për t’u stërvitur me skuadrën U19. Ndërkohë, ndeshjet i zhvillon me ekipin U17, ku ka spikatur me aftësitë dhe cilësitë e tij të veçanta.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re, pasi disa klube evropiane kanë filluar ta ndjekin nga afër, përfshirë edhe skuadra nga Spanja.
Për të shmangur mundësinë që talenti i ri të largohet drejt një klubi tjetër, Rennes ka ndërmarrë hapa për ta mbajtur në radhët e veta. Në tetor të vitit 2025, klubi francez nënshkroi me të një kontratë gjysmëprofesionale, e cila do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027, pasi lojtari të përfundojë arsimin e detyrueshëm.
Që nga dita pasuese, Rennes do të ketë mundësinë t’i ofrojë kontratën e parë profesionale. Nëse kjo ndodh, Thymeo mund të bëhet futbollisti më i ri që aktivizohet në Ligue 1, në moshën 15-vjeçare dhe më pak se tre muaj.
Në mesin e klubeve që po e monitorojnë situatën e tij është edhe Barcelona. Sipas raportimit të RMC, babai i 14-vjeçarit ka gjetur punë në Spanjë, rrethanë që potencialisht mund ta lehtësojë edhe një transferim të djalit të tij drejt Katalonisë.
Kjo situatë sjell ndërmend vitin 2001, kur Lionel Messi, atëherë vetëm 13-vjeçar, mbërriti në Barcelonë së bashku me familjen e tij.
Megjithatë, pavarësisht interesimit dhe spekulimeve për të ardhmen e tij, vetë futbollisti dhe rrethi i tij i afërt thuhet se preferojnë të vazhdojnë në Rennes.
Klubi francez ka një histori të rëndësishme në zhvillimin e talenteve të rinj, pasi nga akademia e tij kanë dalë emra si Ousmane Dembele, Eduardo Camavinga dhe Desire Doue./Telegrafi/

