Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar para disa ditëve se Komuna po vazhdon punën për pastrimin e kryeqytetit, pavarësisht, siç tha ai, pengesave dhe bllokimeve nga niveli qendror.
Duke folur para mediave, Rama tha se 74 milionë euro të dedikuara për blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve, me qëllim të zgjidhjes së problemit të mbeturinave në kryeqytet dhe në rajon, janë bllokuar.
Megjithatë, pavarësisht shtimit të kamionëve privatë për grumbullimin e mbeturinave nga Komuna e Prishtinës, kryeqyteti po vazhdon të përballet me kontejnerë të stërmbushur dhe mbeturina të shpërndara në hapësira publike.
Pamjet e realizuara këtë të premte në terren dëshmojnë se problemi me menaxhimin e mbeturinave ende nuk është zgjidhur, pavarësisht masave të ndërmarra për përmirësimin e gjendjes.
Për këtë situatë ka folur edhe një banor i Prishtinës, Shenoll Rashiti, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij për gjendjen dhe paqartësitë rreth përgjegjësisë institucionale.
“Përparim Rama ia gjuan Hekuran Muratit, Hekuran Murati ia gjuan Përparim Ramës. Domethënë, s’di njeri kah me ia mbajt, ama kush është përgjegjësi këtu nuk e di saktë. Por, si kryetar komune, duhet të jetë Përparim Rama, domethënë duhet ta zgjidhë problemin. Besoj mund të jem gabim”, ka deklaruar Rashiti.
Ndërkohë, mbetet të shihet se kur Komuna e Prishtinës do të arrijë të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e mbeturinave, i cili po vazhdon të shqetësojë qytetarët.
Telegrafi do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/

