KORREKT / SOT20 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Fetoshi: Lista që e rrëzoi Vuçiqin në Serbi është veçse një ‘alter ego’ e Listës Serbe

Fetoshi: Lista që e rrëzoi Vuçiqin në Serbi është veçse një ‘alter ego’ e Listës Serbe

Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se Lista Studentore në Serbi, pavarësisht pretendimeve për transformim demokratik të vendit, nuk paraqet ndryshim në orientimin e politikës së jashtme dhe vazhdon qëndrimet e qeverive të mëparshme të udhëhequra nën presidencën e Aleksandar Vuçiqit.

Në një analizë të publikuar me titullin “Lista Serbe e Serbisë ‘Studentore’ – Vazhdimësia gjeopolitike e pushtetit të ri në Beograd”, Fetoshi thotë se qëndrimet e kësaj liste për Kosovën, Rusinë, Kinën, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmojnë vazhdimësinë e politikës së jashtme të Serbisë.

“Programi politik i Listës Studentore me të cilin pretendon transformimin demokratik të Serbisë, nuk përmban asnjë ndryshim në orientimet e politikës së jashtme”, shkruan Fetoshi.

Sipas tij, “neutraliteti ushtarak”, Kosova si pjesë e Serbisë, refuzimi i sanksioneve ndaj Rusisë, partneriteti strategjik me Kinën, partneriteti ekonomik me Bashkimin Evropian dhe dialogu strategjik me SHBA-në janë zotimet kryesore që tregojnë përputhshmëri me programet e qeverive të mëparshme.

“Neutraliteti” ushtarak si fasadë për militarizimin

Duke analizuar programin e Listës Studentore në fushën e mbrojtjes, Fetoshi vëren se ajo zotohet për ruajtjen e neutralitetit ushtarak, por njëkohësisht parasheh modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të ushtrisë.

Ai e krahason këtë qasje me programet e qeverive të Millosh Vuçeviqit dhe Gjuro Macutit, duke vlerësuar se neutraliteti ushtarak ka shërbyer si mbulesë për afrimin me Rusinë dhe Kinën.

“Edhe Lista Studentore kamuflohet me ‘neutralitetin strategjik’, i cili deri më tani ka shërbyer si ‘fasadë’ për militarizimin dhe afrimin me Rusinë e Kinën”, shkruan Fetoshi.

Ai thekson se programi nuk parasheh reduktim të fuqisë ushtarake, por rritje të investimeve dhe krijimin e një sistemi të integruar të mbrojtjes kundërajrore me kapacitet deri në 300 kilometra.

Kosova vazhdon të trajtohet si pjesë e Serbisë

Fetoshi vlerëson se përputhshmëria me politikat e mëparshme është e plotë edhe në qëndrimin ndaj Kosovës.

Në programin e Listës Studentore thuhet: “Do të luftojmë për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 1244. Do ta kundërshtojmë vazhdimisht pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”.

Sipas Fetoshit, ky qëndrim është në përputhje me politikat e qeverive të mëparshme, ndërsa Lista Studentore shkon edhe më tej në kundërshtimin e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.

“Kjo do të thotë se ndryshimi i pushtetit në Serbi, jo vetëm që nuk ka sjellë ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës, por e ka ashpërsuar atë në raport me marrëveshjet e dialogut të Brukselit”, shkruan ai.

Fetoshi veçon edhe zotimin e kësaj liste për të “ndjekur penalisht përfaqësuesit e regjimit për çdo vepër të mundshme penale që lidhet me arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë”.

Ai përmend gjithashtu synimin për autonomi sa më të gjerë të komunave me shumicë serbe dhe vendbanimeve të tjera me serbë e goranë, si dhe ruajtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore e sociale, përfshirë universitetin në Mitrovicën e Veriut.

Partneriteti me Rusinë dhe Kinën mbetet i pandryshuar

Në raport me Rusinë, programi i Listës Studentore parasheh vazhdimin e partneritetit tradicional dhe kundërshtimin e sanksioneve ndaj Moskës.

“Ne do të ruajmë partneritetin tradicional me Rusinë, për t’u koordinuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me interes të përbashkët. Serbia do të mbajë qëndrimin parimor për mosvënie të masave kufizuese ndaj Rusisë, por edhe për respektimin e integritetit territorial të shteteve sovrane, përfshirë Ukrainën”, citohet programi në analizën e Fetoshit.

Ai vlerëson se partneriteti me Moskën dhe refuzimi i sanksioneve janë dy shtyllat e politikës serbe që konfirmojnë vazhdimësinë me qeverisjet e mëparshme.

Edhe në raport me Kinën, Lista Studentore parasheh vazhdimin e partneritetit strategjik, me fokus në ekonomi, infrastrukturë dhe investime në teknologji të lartë.

“Do ta zhvillojmë partneritetin gjithëpërfshirës me Kinën dhe në projektet e ardhshme do të insistojmë për respektimin e standardeve mjedisore, të drejtave të punëtorëve dhe sigurisë në punë”, thuhet në program.

Fetoshi thekson se, ndonëse programi i ri nuk e specifikon bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ai nuk e cenon marrëdhënien strategjike me Kinën, të ndërtuar gjatë presidencës së Vuçiqit.

BE-ja si “kuletë”, jo orientim strategjik

Në analizën e tij, Fetoshi vlerëson se Lista Studentore e trajton Bashkimin Evropian kryesisht si partner ekonomik dhe burim të fondeve e investimeve, e jo si objektiv strategjik të integrimit.

Ai e përshkruan këtë qasje me titullin “BE-ja si ‘kuletë’, jo orientim strategjik”, duke theksuar se programi parasheh edhe organizimin e një referendumi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, kjo paraqet zhvlerësim të mëtejshëm të integrimit evropian si objektiv strategjik i Serbisë.

Në këtë kontekst, programi parasheh thellimin e bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Evropiane të Investimeve, me qëllim sigurimin e granteve dhe mbështetjes financiare për projektet zhvillimore.

Dialogu strategjik me SHBA-në

Sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lista Studentore zotohet për vazhdimin e dialogut strategjik në fushat e telekomunikacionit, energjetikës, transportit, inteligjencës artificiale, furnizimit me gaz dhe bashkëpunimit në mbrojtje.

Fetoshi thotë se edhe ky zotim përbën vazhdimësi të politikave të qeverive të mëparshme dhe nuk sinjalizon një kthesë të mirëfilltë gjeopolitike drejt Perëndimit.

“Përndryshe, afrimi potencial me SHBA-në apo reformat përfituese nga BE-ja s’do të ishin shqetësuese sikur Lista Studentore të sinjalizonte kthesën gjeopolitike drejt Perëndimit. Një gjë e tillë do të nënkuptonte shansin e ‘normalizimit’ me Kosovën, duke i dhënë fund strategjisë hibride të destabilizimit dhe sabotimit ndërkombëtar”, shkruan ai.

Në përfundim, Fetoshi e cilëson Listën Studentore si një “alter ego” të Listës Serbe në Kosovë, duke argumentuar se ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk do të sjellë demokratizim të mirëfilltë përderisa vazhdojnë ambiciet revizioniste të Serbisë në Ballkan.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.