Monedha evropiane ka mbyllur këtë javë me një tjetër rënie në tregun valutor vendas, duke zbritur për herë të parë nën kufirin e 90 lekëve dhe duke regjistruar nivelin më të ulët historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 89,78 lekë, duke shënuar një rekord të ri në rënien e saj përballë monedhës vendase me 0,24 lekë. Vetëm gjatë një jave, euroja ka humbur pothuajse një lek në kursin e këmbimit.
Referuar të dhënave të BSH-së, në terma vjetorë, rënia e kursit euro-lek ka arritur në 7,1%, niveli më i lartë i tkurrjes në tre vitet e fundit. Ndërkohë, në tregun valutor, dollari amerikan ka shënuar një forcim me 0,07 lekë dhe këmbehet me 81,89 lekë.
Funta britanike ka zbritur me 0,37 lekë, duke u këmbyer me 107,35 lekë, ndërsa franga zvicerane është forcuar me 0,09 lekë dhe këmbehet me 97,26 lekë.
Burimi: lajmi.net ↗

