Pas një udhëtimi tetëvjeçar, gjatë të cilit ka përshkuar afro 10 miliardë kilometra, anija kozmike e quajtur BepiColombo është pranë destinacionit të saj përfundimtar: planetit Mërkur, ku pritet të vendoset në orbitë.
Anija do të përballet me një mjedis jashtëzakonisht armiqësor. Mërkuri është planeti më i afërt me Diellin, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 430 gradë Celsius, ndërsa më pas të bien deri në minus 180 gradë. Përveç temperaturave ekstreme, planeti është vazhdimisht i ekspozuar ndaj rrezatimit intensiv diellor, transmeton klankosova.tv.
Deri më tani, Mërkuri është një nga planetët më pak të eksploruar, por shkencëtarët shpresojnë se ky mision do të ndihmojë në zgjidhjen e disa prej mistereve të tij më të mëdha.
Sipas BBC, ndër pyetjet që kërkojnë përgjigje është prania e akullit në krateret e Mërkurit, pavarësisht afërsisë së tij me Diellin, si dhe origjina e disa zgavrave misterioze që gjenden në pjesë të ndryshme të sipërfaqes së planetit.
“Besoj se Mërkuri është disi një planet i lënë pas dore në pjesën e brendshme të Sistemit Diellor, por pikërisht kjo e bën atë kaq interesant”, tha profesoresha Emma Bunce nga Universiteti i Leicesterit, një nga shkencëtaret kryesore të misionit.
Ajo theksoi se ka shumë arsye shkencore për ta studiuar Mërkurin, për të kuptuar se si është formuar, si ka evoluar dhe si duket sot, por edhe mënyrën se si ndërvepron me Diellin dhe kushtet ekstreme hapësinore ndaj të cilave është i ekspozuar.
Misioni BepiColombo është një bashkëpunim mes Agjencisë Evropiane të Hapësirës dhe Agjencisë Japoneze të Eksplorimit të Hapësirës. Anija u nis në vitin 2018 nga Guajana Franceze.
Gjatë udhëtimit drejt pjesës së brendshme të Sistemit Diellor, anija është përballur me sfidën e tërheqjes së jashtëzakonshme gravitacionale të Diellit.
Për të arritur shpejtësinë e nevojshme dhe për të hyrë në orbitën e Mërkurit, BepiColombo ka ndjekur një itinerar të ndërlikuar, duke kryer një rrotullim rreth Tokës, dy rreth Venusit dhe gjashtë kalime pranë Mërkurit.
Fillimisht, udhëtimi ishte planifikuar të zgjaste shtatë vjet, por një problem në sistemin shtytës të anijes kozmike bëri që misioni të zgjatej edhe për një vit.
Faza përfundimtare e vendosjes në orbitë konsiderohet veçanërisht e rrezikshme. Anija duhet të kryejë një manovër të ndërlikuar 37-minutëshe, në mënyrë që graviteti i Mërkurit ta tërheqë dhe ta mbajë në orbitë.
Nëse diçka shkon gabim gjatë kësaj manovre, anija kozmike rrezikon ta kalojë planetin pa arritur të vendoset në orbitën e tij.
Deri më tani, vetëm dy anije kozmike kanë vizituar planetin Mërkur dhe të dyja kanë qenë pjesë e misioneve të NASA-s.

