Për një periudhë prej 13 vitesh, Philip Young e drogoi dhe abuzoi seksualisht bashkëshorten e tij, duke përdorur faqe interneti dhe aplikacione për të ftuar burra në banesën e tyre në Swindon të Anglisë, pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.
Të enjten, katër burra u shpallën fajtorë për vepra penale seksuale ndaj saj, transmeton klankosova.tv.
Ky gjyq ka nxitur thirrje drejtuar qeverisë që të sigurojë se në raste të tilla të përdhunimit, të pandehurit të mos mund të përdorin si mbrojtje argumentin e të ashtuquajturit “pëlqim i dhënë nga një person i tretë”.
Sipas BBC, gjatë gjykimit, prokuroria deklaroi se katër burrat, të cilët nuk njiheshin me njëri-tjetrin, nuk kishin kërkuar pëlqimin e Joanne Young përpara se të kryenin marrëdhënie seksuale me të.
Të pandehurit pretenduan se ishin mashtruar nga Philip Young dhe se kishin besuar që ajo kishte dhënë pëlqimin.
Në një postim në LinkedIn, vajza e viktimës, Alex Young shkroi:
“Ne jetojmë në një botë ku ende diskutohet nëse pëlqimi i dhënë nga një person i tretë është i mjaftueshëm për të kryer marrëdhënie seksuale me dikë. Ne jetojmë në një botë ku partneri i dikujt mund të japë pëlqimin në emër të tij dhe kjo mund të përdoret si argument në një proces gjyqësor. Kjo është thjesht e papranueshme”
Thirrjet e saj për ndryshimin e ligjit përputhen me ato të nënës së saj, e cila foli para Gjykatës së Kurorës në Winchester, pas përfundimit të gjyqit.
“Askush nuk duhet të ketë të drejtë të japë pëlqimin në emrin tuaj”, deklaroi Joanne Young, e cila ka hequr dorë nga e drejta për të ruajtur anonimitetin e saj.
“U bëj thirrje autoriteteve qeveritare që ta trajtojnë këtë çështje si prioritet, në mënyrë që gratë të mbrohen siç duhet në të ardhmen”
Ligji për Veprat Penale Seksuale i vitit 2003 (Sexual Offences Act 2003) përcakton se:
“Një person konsiderohet se ka dhënë pëlqimin nëse pranon me vullnetin e tij të lirë dhe ka lirinë dhe aftësinë për të marrë një vendim të tillë”
“Nëse dikush është droguar, është në gjumë ose pa ndjenja, ai nuk mund të japë pëlqim”, tha për BBC-në profesoresha Miranda Horvath, drejtoreshë e Institutit për Drejtësinë Sociale dhe Krimin në Universitetin e Suffolk-ut.

