Një trajtim i ri për kancerin e pankreasit ka dhënë rezultate premtuese në provat e hershme klinike, pasi te disa pacientë tumoret janë zvogëluar, ndërsa te një pjesë e tyre janë bërë të padukshme në skanimet mjekësore.
Bëhet fjalë për ilaçin daraxonrasib, i cili në kombinim me kimioterapinë ka treguar rezultate inkurajuese te pacientët me kancer të avancuar të pankreasit, që ishte përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.
Sipas rezultateve të studimit, tumoret kanë ndaluar së rrituri te 90 për qind e 61 pacientëve të përfshirë në hulumtim, ndërsa pak më shumë se 60 për qind kanë pasur zvogëlim ose zhdukje të tumoreve.
Në rreth 8 për qind të pacientëve, apo një në 12, tumoret nuk janë vërejtur më në skanimet CT.
Organizata Cancer Research UK i ka cilësuar rezultatet si një nga përparimet më të mëdha në trajtimin e kancerit të pankreasit në dekada.
Dr. Sam Godfrey nga kjo organizatë ka thënë se rezultatet janë jashtëzakonisht emocionuese, pasi trajtimi i ri po arrin të ndikojë në mekanizma të kancerit që deri më tani kanë qenë shumë të vështirë për t'u trajtuar me ilaçe.
Kanceri i pankreasit konsiderohet ndër format më vdekjeprurëse të kancerit, me shkallën më të ulët të mbijetesës ndër kanceret e zakonshme në Britani. Për pacientët me sëmundje të avancuar, mbijetesa shpesh matet me muaj dhe jo me vite, ndërsa kimioterapia tradicional zakonisht arrin vetëm ta zvogëlojë tumorin përkohësisht, para se sëmundja të përparojë sërish.
Studimi ka zgjatur mesatarisht një vit e gjysmë, por mjekët thonë se nevojiten hulumtime më të gjata për të kuptuar sa kohë mund të qëndrojë sëmundja nën kontroll dhe nëse trajtimi mund të çojë në remision afatgjatë.
Daraxonrasib vepron duke bllokuar mutacione të caktuara të quajtura RAS, të cilat gjenden në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe nxisin rritjen e tumorit. Ilaçi synon t'i ndërpresë këto sinjale dhe të pengojë zhvillimin e qelizave kancerogjene.
Dr. Wungki Park nga Memorial Sloan Kettering Cancer Center në SHBA, i përfshirë në studim, ka thënë se rezultatet po tregojnë jo vetëm një përqindje më të lartë të reagimit ndaj trajtimit, por edhe përgjigje më të thella dhe kohë më të gjatë të kontrollit të sëmundjes, që mund të përkthehen në mbijetesë më të gjatë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate nuk nënkuptojnë shërim përfundimtar. Edhe në rastet kur tumori nuk shihet më në skanime, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kanceri është zhdukur plotësisht nga organizmi, pasi ai mund të rikthehet.
Sipas të dhënave të Cancer Research UK, në Britani diagnostikohen rreth 11 mijë e 500 raste të kancerit të pankreasit në vit, ndërsa rreth 10 mijë e 200 persona vdesin nga kjo sëmundje.

