Ish-deputeti, ish-zëvendësministri dhe biznesmeni shqiptar në Gjermani, Gani Dreshaj, ka reaguar lidhur me trajtimin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, gjatë vizitës së tij te bashkëshortja e sëmurë rëndë.
Dreshaj ka ngritur shqetësime për mënyrën e shoqërimit të Krasniqit, duke e cilësuar situatën si çështje të dinjitetit njerëzor dhe si një sfidë për institucionet në Bruksel dhe Prishtinë.
Sipas tij, Krasniqi, 75-vjeçar dhe me probleme shëndetësore, kishte marrë leje për arsye humanitare për të vizituar bashkëshorten e tij të sëmurë rëndë, por gjatë vizitës ishte shoqëruar nga një numër i madh pjesëtarësh të sigurisë, të armatosur, raporoton IndeksOnline.
“Pamjet e Jakup Krasniqit janë tronditëse dhe të turpshme. Ato krijojnë përshtypjen sikur po transportohet një kriminel jashtëzakonisht i rrezikshëm”, ka shkruar Dreshaj.
Ai ka shkruar se Krasniqi është ish-mësues, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe një person që, sipas tij, është dorëzuar vullnetarisht para drejtësisë në Hagë.
Dreshaj ka ngritur edhe pyetje mbi proporcionalitetin e masave të sigurisë.
Postimi i plotë i tij:
Kur drejtësia humbet njerëzillëkun
Trajtimi i Jakup Krasniqit është çështje e dinjitetit njerëzor dhe një sfidë politike për Brukselin dhe Prishtinën.
Opinion nga Gani Dreshaj
19 nëntor 2026
Një burrë 75-vjeçar, i sëmurë rëndë, që vuan nga diabeti, merr leje për arsye humanitare për të vizituar bashkëshorten e tij të sëmurë rëndë. Por, në vend që t’i mundësohet ky moment familjar me një minimum dinjiteti, ai shoqërohet nga një numër i madh forcash të sigurisë, të armatosura rëndë.
Pamjet e Jakup Krasniqit janë tronditëse dhe të turpshme. Ato krijojnë përshtypjen sikur po transportohet një kriminel jashtëzakonisht i rrezikshëm, i cili përbën një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë publike.
Por ne po flasim për një ish-mësues, ish-kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe një njeri që është dorëzuar vullnetarisht para drejtësisë në Hagë.
Çfarë rreziku mund të paraqesë ky njeri i moshuar dhe i sëmurë gjatë vizitës te bashkëshortja e tij e sëmurë rëndë? Çfarë kërcënimi e justifikon gjithë këtë arsenal armësh?
Heshtja e papranueshme e politikës
Dhomat e Specializuara në Hagë janë themeluar mbi bazën e një ligji të miratuar nga vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, udhëheqja politike e Kosovës mban një përgjegjësi të veçantë.
Pavarësia e drejtësisë nuk nënkupton se veprimet e saj janë të paprekshme nga kritika politike dhe ajo që lidhet me të drejtat e njeriut. Edhe një institucion ndërkombëtar i drejtësisë duhet të respektojë parimet e proporcionalitetit, dinjitetit njerëzor dhe prezumimit të pafajësisë.
Ku janë zërat e deputetëve të Parlamentit Evropian? Ku është Komisioni Evropian? Ku është udhëheqja politike e Republikës së Kosovës?
Sa gjatë do të vazhdojë kjo heshtje?
Evropa po rrezikon besueshmërinë e saj
Ne shqiptarët nuk e kemi harruar dhe nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës. Kemi qenë mirënjohës për çlirimin tonë dhe kemi besuar në vlerat evropiane.
Pikërisht për këtë arsye është edhe më e dhimbshme dhe e padurueshme të shohim sot pamje që na kujtojnë kohët e errëta, të cilat besonim se i kishim lënë përgjithmonë pas me përfundimin e regjimit të Millosheviqit.
Kam frikë se veprime të tilla do ta shndërrojnë edhe mirënjohjen historike të shqiptarëve ndaj partnerëve ndërkombëtarë në zhgënjim dhe hidhërim të thellë.
Kush predikon të drejtat e njeriut, duhet edhe vetë t’i respektojë ato. Kush kërkon sundimin e ligjit, duhet të garantojë proporcionalitetin. Kush premton drejtësi, nuk ka të drejtë të sakrifikojë njerëzillëkun.
Është koha që politika në Bruksel dhe në Prishtinë të zgjohet, të reagojë, të kërkojë shpjegime transparente dhe të shqyrtojë proporcionalitetin e këtyre masave të sigurisë, para se të jetë tepër vonë.
Pamjet flasin më shumë sesa unë mund të shkruaj apo të shpreh me fjalë.
Turp, turp, turp!
Një veprim i tillë, sipas bindjes sime, është thjesht i paturpshëm, i papranueshëm dhe i padenjë për një sistem evropian të drejtësisë.

