KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Nga presioni për votim në Kuvend te tërheqja e nismës, kritikohet mënyra e trajtimit të ligjit për Specialen

Nga presioni për votim në Kuvend te tërheqja e nismës, kritikohet mënyra e trajtimit të ligjit për Specialen

Avokati Muhamet Mujaj dhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Sbunker”, Fitim Gashi, kanë kritikuar mënyrën se si është zhvilluar iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke vënë në pikëpyetje efektin e ndryshimeve të miratuara në Kuvend dhe arsyet e tërheqjes së mëvonshme të tyre.

Duke folur në Five të TV Dukagjinit, Mujaj ka thënë se pas miratimit të ligjit në Kuvend është parë se mundësitë për të ndryshuar kompetencat e Speciales janë të kufizuara.

Ai e ka përshkruar Gjykatën Speciale si një problem të madh për Kosovën, duke theksuar se, ndonëse është themeluar nga Kuvendi, kompetencat që i janë dhënë e bëjnë të vështirë ndërhyrjen përmes legjislacionit.

“E kanë parë se çfarë ligji e kanë miratuar në atë kohë, tash po e shohin që mundësitë për të ndërrua diçka janë shumë të vogla. Duhet me iu tregu qytetarëve, duhet saktë me iu tregu qytetarëve se çfarë është duke ndodhur. Meqë unë e konsideroj, Kosova e ka krijuar një gangrenë. Një kancer në trupin e saj. Si me qenë një pjesë e trupit jashtë trupit tonë. Është problem me frenu Gjykatën Speciale. Edhe pse është formuar nga Kuvendi, prapë qëndroj se Kuvendi është ai që mund të nxjerrë legjislacione për Specialen, por mënyra qysh është formuar dhe kompetencat që i janë dhënë janë shumë të rënda”, ka thënë Mujaj.

Ndërkaq, Fitim Gashi e ka cilësuar si tallje me qytetarët mënyrën se si është zhvilluar procesi, veçanërisht pas protestave që pasuan aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, më 16 shtator.

Sipas tij, nisma për ndryshimin e ligjit u shty nën presionin e protestave, pa u trajtuar siç duhet, ndërsa më vonë nuk pati transparencë për arsyet që çuan në kërkesën për kthimin e tij.

“Është tallje, dhe përtej talljes është luajtje me ndjenat e qytetarëve, veçanërisht pas protestave që i patën aktgjykimit të Gjykatës Speciale të shkallës së parë më 16 shtator. Dhe se u pa që do të bëhet një ligj nga presioni i protestave, me inercion që nuk u trajtua në mënyrën siç duhet. Dhe gjithë ajo nguti që ishte, por po mendoj që ndoshta qëllimi i LVV-së ka qenë që edhe ata e kanë ditë është një ligj që nuk funksionon”, ka deklaruar Gashi në “Five”.

Ai ka thënë se procesi u zhvillua në një kontekst ku edhe Lëvizjes Vetëvendosje i konvenonte miratimi i ligjit, për shkak të zhvillimeve rreth zgjedhjes së presidentit dhe funksionalitetit të institucioneve.

Gashi ka kritikuar veçanërisht mungesën e sqarimeve nga PDK-ja, e cila fillimisht e hartoi dhe e shtyu përpara projektligjin, e më pas kërkoi kthimin e tij për rishqyrtim.

“Por më pas ajo çfarë ndodhi është tallje dhe aq më tepër nuk ka pasur transparencë se pse u tërhoq ai ligj. Asnjëherë PDK-ja që e ka draftuar nuk ka treguar ku janë ato problemet, ato shkaqet që kanë çuar në kërkesën për ta tërhequr ligjin. Çka synohet të bëhet tash, çka ka shkuar gabim? Dhe këto nuk duhet fajësuar vetëm PDK-në, por edhe LVV-në, se i kanë ofruar mbështetje. Kështu do të duhej sqaruar situata se çka nuk ka funksionuar”, ka thënë Gashi.

Komentet e tyre vijnë pasi PDK-ja, pas kthimit të ligjit nga presidentja Justina Shiroka-Pula dhe pamundësisë për ta rishqyrtuar në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit, është pajtuar me kryeministrin Albin Kurti për një iniciativë të re ligjore. Sipas ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, projektligji i ri do të mbështetet në tekstin e miratuar më parë, por do të plotësohet për të qenë më

i qëndrueshëm juridikisht dhe më i zbatueshëm në praktikë.

Hap videon në burimin e saj ↗
Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.