KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

Nëse fëmijët rrejnë është gjë e mirë, e thonë ekspertët

Nëse fëmijët rrejnë është gjë e mirë, e thonë ekspertët

Gënjeshtrat e vogla të fëmijëve janë një përvojë e zakonshme për shumicën e prindërve. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo sjellje nuk duhet parë gjithmonë si diçka negative, pasi mund të jetë pjesë e rëndësishme e zhvillimit mendor të tyre.

Psikologia klinike, Dr. Jade Redfern, shpjegon se aftësia për të gënjyer është një shkathtësi që fëmijët gradualisht e zhvillojnë dhe e vënë në praktikë për t'u bërë gjithnjë e më të zotë, transmeton klankosova.tv

Sipas BBC, ekspertët theksojnë se të mësuarit për të fshehur të vërtetën apo për të mashtruar në situata të caktuara mund të jetë shenjë e zhvillimit të aftësive njohëse. Kjo nuk do të thotë se prindërit duhet t'i inkurajojnë fëmijët të gënjejnë, por se duhet të kuptojnë çfarë fshihet pas kësaj sjelljeje.

Fëmijët mund të mashtrojnë që në muajt e parë të jetës

Sipas psikologes Redfern, fëmijët e vegjël ende nuk janë mjaftueshëm të zhvilluar për të krijuar gënjeshtra të ndërlikuara, por janë të aftë të shfaqin forma të thjeshta mashtrimi edhe para se të mbushin një vjeç.

Një studim i Universitetit të Bristolit ka gjetur se rreth një e katërta e fëmijëve shfaqin shenja të të kuptuarit të formave të caktuara të mashtrimit që në moshën 10-muajshe.

Profesoresha Elena Hoicka, e cila udhëhoqi studimin, thotë se ishte befasuese të shihej se sa të vegjël mund të jenë fëmijët kur fillojnë të tregojnë aftësi të tilla.

Sipas Hoickës, rreth moshës dyvjeçare fëmijët fillojnë të përdorin forma më të thjeshta të mashtrimit. Ata mund të shtiren sikur nuk e kanë dëgjuar prindin ose të mohojnë se kanë bërë diçka të ndaluar.

Kjo sjellje mund të shfaqet edhe në forma të tjera, si kryerja e veprimeve të ndaluara në fshehtësi. Për shembull, kontrollimi i një çante për të cilën u është thënë të mos e hapin, kur mendojnë se askush nuk po i sheh.

Një tjetër mënyrë është krijimi i arsyetimeve për t'iu shmangur detyrave, si pretendimi se kanë nevojë të shkojnë në tualet pikërisht kur prindërit u kërkojnë të rregullojnë lodrat.

Ndërsa rreth moshës trevjeçare, fëmijët bëhen më të aftë dhe më kreativë në mënyrën se si fshehin të vërtetën. Kjo tregon një kuptim më të zhvilluar të gjuhës dhe të mënyrës se si mendojnë njerëzit e tjerë.

Në këtë moshë, ata fillojnë edhe të fshehin pjesë të caktuara të informacionit. Për shembull, mund t'u tregojnë prindërve me të drejtë se vëllai apo motra i kanë goditur, por të mos përmendin se ata vetë kanë goditur të parët.

Çfarë tregon kjo për zhvillimin e fëmijës?

Ekspertët e lidhin këtë sjellje me një aftësi të rëndësishme psikologjike, të njohur si “teoria e mendjes” (Theory of Mind).

Kjo aftësi nënkupton se fëmija fillon të kuptojë se njerëzit e tjerë kanë mendime, njohuri, dëshira dhe bindje të ndryshme nga të tijat.

Me fjalë të tjera, fëmija gradualisht kupton se prindërit nuk e dinë domosdoshmërisht atë që ai di dhe se mund të mos e kenë parë atë që ka bërë.

Ky zhvillim është pjesë e rëndësishme e rritjes mendore dhe shoqërore të fëmijës. Prandaj, sipas ekspertëve, gënjeshtrat e vogla të fëmijërisë mund të jenë jo vetëm një sfidë për prindërit, por edhe një tregues se fëmija po zhvillon aftësinë për të kuptuar mendimet dhe perspektivat e të tjerëve.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.