Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar kërkesën e ministrit të Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, drejtuar kryetarëve të komunave që të mos hapin thirrje publike për themelimin e këshillave lokalë rinorë deri në themelimin e Këshillit Qendror Rinor.
Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, shkresa e ministrit u kërkon komunave të presin pa dhënë sqarime se si duhet t’i përmbushin detyrimet ligjore, në një kohë kur procesi në nivel qendror është vonuar.
Ibrahimi pohoi se neni 35 i Rregullores Nr. 09/2024 i jep Agjencisë tre muaj afat për themelimin e KQR-së dhe komunave gjashtë muaj për themelimin e këshillave lokalë rinorë, duke llogaritur afatet nga hyrja në fuqi e rregullores.
Sipas tij, rregullorja parasheh bashkëpunim me Këshillin Qendror Rinor për hapjen e thirrjes publike dhe organizimin e mbledhjes konstituive, por njëkohësisht parashikon edhe zgjidhje në rast se KQR-ja nuk është funksionale.
“Për përbërjen e komisionit të shqyrtimit të aplikimeve, neni 24, paragrafi 5, parasheh që drejtoria komunale të ftojë dy anëtarë të shoqërisë civile kur KQR-ja është pa mandat ose refuzon të marrë pjesë. Shkresa e ministrit citon përbërjen e zakonshme të komisionit dhe e lë pa trajtuar këtë dispozitë”, tha Ibrahimi, për IndeksOnline.
Në emër të AKK-së, ai i ka kërkuar ministrit Gashani të sqarojë arsyet pse nuk është respektuar afati për themelimin e Këshillit Qendror Rinor.
“Komunat nuk mund të presin pafund për shkak të papërgjegjësisë së nivelit qendror në respektimin e afatit për themelimin e KQR-së. Vonesa në nivel qendror kërkon një zgjidhje që u mundëson të rinjve të përfaqësohen në komunat e tyre”, përfundoi Ibrahimi.

