KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kurti: Nuk kam ndryshuar qëndrim për Gjykatën Speciale, është gjykatë e pazakonshme dhe me mungesë transparence

Kurti: Nuk kam ndryshuar qëndrim për Gjykatën Speciale, është gjykatë e pazakonshme dhe me mungesë transparence

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale, duke e cilësuar atë si një gjykatë të pazakonshme dhe me mungesë transparence.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, gjatë diskutimit për pikën e 11-të të rendit të ditës, që ka të bëjë me rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të kthyer nga presidentja e vendit, Kurti tha se qëndrimi i tij për këtë gjykatë mbetet i njëjtë që nga viti 2015.

“Unë, si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si kryetar i subjektit politik fitues të zgjedhjeve të fundit, nuk kam ndryshuar fare qëndrim për Dhomat e Specializuara apo Gjykatën Speciale, siç njihet ndryshe, që nga pranvera e vitit 2015”, deklaroi Kurti.

Ai tha se Dhomat e Specializuara përbëjnë një gjykatë të pazakonshme, e cila, sipas tij, herë paraqitet si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar.

“Konsideroj që kjo gjykatë speciale, këto Dhoma të Specializuara, janë një gjykatë e pazakonshme, aq e pazakonshme saqë edhe termi ‘sui generis’ duket i ngushtë. Herë sillen si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar, por gjithsesi janë një gjykatë shumëetnike me mungesë transparence”, u shpreh ai.

Kurti foli edhe për arsyet që, sipas tij, çuan në iniciativën për ndryshimin e ligjit, duke përmendur pakënaqësinë dhe zhgënjimin pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai e kritikoi këtë aktgjykim, duke thënë se përmban pasaktësi faktike dhe historike dhe se rezultoi me gjithsej 81 vjet burgim për katër ish-krerët e UÇK-së.

Kryeministri u ndal edhe te prejardhja e pretendimeve që çuan drejt themelimit të Gjykatës Speciale, duke përmendur raportimet e vitit 2008 në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçov dhe deputeti serb Miloš Aligrudić, lidhur me pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikim të organeve.

Sipas Kurtit, këto pretendime nuk patën kundërvënien e duhur në atë kohë, ndërsa hetimet e mëvonshme, sipas tij, nuk gjetën prova për trafikimin e pretenduar të organeve.

Diskutimi në Kuvend u zhvillua në kuadër të rishqyrtimit të Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kthimit të tij nga presidentja e Kosovës. /Lajmi.net/

Lajmi në përditësim….

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.