Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës , Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për situatën me furnizimin me energji elektrike, duke thënë se ndërprerjet e rrymës po ua vështirësojnë jetën qytetarëve në gjithë vendin.
Duke folur në Kuvend, Tahiri tha se mungesa e energjisë elektrike për orë të tëra po prek veçanërisht vendbanimet rurale, por se problemet janë shfaqur edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera.
Ai theksoi se situata po rëndon edhe më shumë gjendjen ekonomike të familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta, të cilat po detyrohen të hyjnë në borxhe për të përballuar faturat e energjisë elektrike.
Sipas Tahirit, problemi është edhe më serioz gjatë sezonit të dimrit, pasi ngrohja në shumë familje, sidomos në zonat urbane, varet kryesisht nga energjia elektrike.
“Për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë, është duke u bërë e qartë se vendin tonë e ka mbuluar terri. Mungesa e energjisë elektrike për orë të tëra, kryesisht në lokacionet dhe vendbanimet rurale, por edhe në Prishtinë e qytetet tjera, është duke ua vështirësuar jetën qytetarëve në maksimum”, deklaroi Tahiri.
Ai kërkoi që Qeveria të rishikojë strategjinë e saj energjetike, duke përmendur Strategjinë e Energjisë 2022-2031 dhe programin qeverisës.
Tahiri tha se zhvillimet në botë dhe problemet aktuale me çmimet e energjisë dhe derivateve kërkojnë një qasje të re në politikat energjetike të vendit.
Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e ministrit të Financave lidhur me rritjen e çmimeve, duke thënë se qytetarëve po u thuhet se shtrenjtimet nuk janë përgjegjësi e institucioneve vendore.
Sipas tij, Qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të hartojë një strategji që garanton furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike dhe lehtëson barrën për familjet kosovare. /Lajmi.net/

