Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Peci, ka kërkuar nga Serbia hapjen pa kushtëzime të arkivave shtetërore, ushtarake dhe policore, për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një deklarim në Kuvendin e Kosovës, Peci ka përmendur identifikimin e fundit të tri viktimave të luftës, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Bëhet fjalë për Adem Ademin, Fatmir Fazliun dhe Ali Halitin, të cilët, së bashku me Idriz Rrecajn, Adem Beqirin dhe Sali Mziun, janë identifikuar në kuadër të rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë në prill të vitit 1999.
Peci ka veçuar rastin e kirurgut të njohur nga Mitrovica, Adem Ademi, i cili më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, do të përcillet për në banesën e fundit.
“Pas më shumë se 27 vitesh pritje, familja e tij do të ketë një vend ta kujtojë dhe nderojë”, ka deklaruar Peci.
Ai ka theksuar se zbulimi i mbetjeve mortore në veri të Kosovës, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, dëshmon se ende nuk është zbardhur plotësisht e vërteta për personat e zhdukur.
“Gjetjet në Kalludër dhe Jabukë dëshmojnë se e vërteta ende nuk është zbardhur plotësisht dhe shumë familje vazhdojnë të presin përgjigje”, është shprehur ai.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i VV-së ka kërkuar që Serbia të vërë në dispozicion çdo dokument që mund të ndihmojë në identifikimin e lokacioneve të varrezave masive.
“Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa trajtimin e kësaj çështjeje. Nuk mund të flitet për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë ndërkohë që familjet ende presin përgjigje për të zhdukurit”, ka thënë Peci.
Ai u ka bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë që çështjen e të zhdukurve dhe hapjen e arkivave ta trajtojnë si prioritet, duke kërkuar përgjegjësi nga Serbia.
“Familjet e të zhdukurve meritojnë përgjigje, ne duhet të kërkojmë drejtësi dhe të mos ndalemi derisa të zbardhet fati i secilit”, ka përfunduar deputeti i Vetëvendosjes. /Lajmi.net/

