Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij në Prishtinë, pas gjashtë vjetësh në Hagë.
Nagavci ka thënë se pamjet nga takimi i Krasniqit me familjen ishin të rënda për t’u parë, duke rikujtuar vështirësitë me të cilat përballen familjet që prej vitesh jetojnë larg të dashurve të tyre.
Ajo ka bërë të ditur se takimi familjar u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, nën mbikëqyrje dhe me kohë të kufizuar.
“Pas çdo procesi gjyqësor ka njerëz, ka familje që presin, që shtyjnë ditët pa të dashurit e tyre dhe që përballen çdo ditë me mungesën e tyre. Ka vite që nuk kthehen dhe momente familjare që nuk mund të rikuperohen”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë politike për themelimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar votimin për të si gabim.
“Vendimet politike nuk mbeten vetëm në dokumente, në procesverbale, në tabela votimi. Ato dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetët e njerëzve, në të kaluarën dhe të ardhmen e vendit dhe në historinë e kombit”, është shprehur ajo.
Nagavci ka rikujtuar edhe kontributin e Jakup Krasniqit në historinë e Kosovës, duke theksuar se ai ishte pjesë e rezistencës kundër regjimit serb, përjetoi burgjet serbe dhe gjatë luftës shërbeu si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësues politik i saj.
Pas luftës, Krasniqi vazhdoi angazhimin në institucionet e vendit, duke shërbyer si deputet dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Jakup Krasniqi është një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Ky është rrugëtimi i një njeriu që ka qenë pjesë e periudhave vendimtare në vendin tonë”, ka theksuar Nagavci.
Ndryshe, Krasniqit i është lejuar vizita në Kosovë për arsye bindëse humanitare, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij. Vizita është zhvilluar nën mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /Lajmi.net/

