Florent Hajdini, 20-vjeçari me prejardhje nga Shala e Bajgorës së Mitrovicës, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke zgjedhur Kosovën U21, pas paraqitjeve të deritanishme me grupmoshat e përfaqësueses së Austrisë.
Në një intervistë për Indeksonline.net, mesfushori i SKU Amstetten ka folur për vendimin për të veshur fanellën dardane, emocionet e debutimit në “Fadil Vokrri”, përvojën në Austri dhe synimet për të ardhmen.
I rritur dhe i formuar si futbollist në Austri, Hajdini tashmë ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, duke vendosur që talentin dhe përkushtimin e tij t’i vërë në shërbim të Kosovës.
Vendimi për të lënë përfaqësuesen e Austrisë në grupmoshat e reja dhe për t’iu bashkuar Kosovës U21, sipas tij, ishte një zgjedhje me rëndësi të veçantë personale.
“Kam respekt të madh për Austrinë, sepse aty jam zhvilluar si futbollist dhe kam kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës sime. Megjithatë, Kosova është vendi im dhe për mua ka një domethënie të veçantë ta përfaqësoj atë”, shprehet Hajdini për Indeksonline.
Ftesa e parë nga Kosova U21 ishte një moment që mesfushori i ri e kishte shpresuar, por që, kur u bë realitet, i solli emocione të veçanta.
“Ishte një ndjenjë shumë e veçantë dhe një moment që do ta mbaj mend gjatë. Sigurisht, e kisha shpresuar një ftesë të tillë, por kur erdhi zyrtarisht, ishte një emocion krejt tjetër. U ndjeva shumë krenar dhe i motivuar, sepse të përfaqësosh vendin tënd është një përgjegjësi dhe një privilegj i madh”, thotë ai.
Një tjetër moment që do ta mbajë mend gjatë është debutimi me fanellën e Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në përballjen ndaj Luksemburgut. Edhe pse rezultati nuk ishte ai që kishte dëshiruar skuadra dardane, për Hajdinin kjo paraqitje kishte domethënie të veçantë.
“Të debutosh me Kosovën, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, është diçka e veçantë. Natyrisht, rezultati nuk ishte ai që dëshironim, sepse gjithmonë hyjmë në fushë për të fituar. Megjithatë, për mua personalisht ishte një përvojë shumë e bukur dhe një motivim shtesë për të punuar edhe më shumë dhe për të dhënë maksimumin për këtë fanellë”, deklaron 20-vjeçari.
Sa i përket përshtatjes në ambientin e ri, ai thotë se është pritur shumë mirë nga bashkëlojtarët dhe stafi teknik i Kosovës U21, duke u ndier që në fillim pjesë e grupit.
Ndërkohë, në nivel klubesh, Hajdini është pjesë e SKU Amstetten në Austri, ku synon të vazhdojë zhvillimin e tij dhe të fitojë sa më shumë përvojë.
“Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Amstettenit. Për mua është një mundësi e mirë për t’u zhvilluar edhe më shumë si futbollist, për të fituar përvojë dhe për të bërë hapa përpara në karrierën time. Synimi im është të punoj çdo ditë, të përmirësohem vazhdimisht dhe të zhvilloj një sezon të fortë së bashku me ekipin. Dua të jap kontributin tim maksimal dhe ta ndihmoj klubin të arrijë objektivat e tij”, shprehet ai.
Mesfushori tregon se gjatë viteve të fundit ka shënuar përparim të dukshëm në aspektin taktik dhe në kuptimin e lojës. Megjithatë, ai nuk dëshiron të ndalet me kaq, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm në vendimmarrje, lojën pa top dhe përgatitjen fizike.
Pas këtij rrugëtimi qëndron edhe mbështetja e familjes, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm që nga hapat e parë të tij në futboll.
“Që në fëmijëri, dashuria për futbollin më ka ardhur natyrshëm. Familja ime, sidomos print e mi, më kan përkrahur gjithmonë dhe më kan motivuar të ndjek ëndrrën time.”, tregon Hajdini.
Sa i përket idhullit të tij në futboll, zgjedhja është një emër i njohur i futbollit evropian. Bëhet fjalë për ish-mesfushorin gjerman Toni Kroos, të cilin e admiron për inteligjencën në lojë, qetësinë dhe saktësinë në fushë.
“Futbollisti im i preferuar është Toni Kroos. Gjithmonë e kam admiruar për inteligjencën në lojë, qetësinë dhe saktësinë e tij në fushë”, përfundoi Hajdini
Për Florent Hajdinin, zgjedhja e Kosovës përfaqëson më shumë sesa një ndryshim në karrierën ndërkombëtare. Është një kapitull i ri, në të cilin synon të rritet si futbollist dhe të kontribuojë për vendin e tij. /Indeksonline/ Granit Tërstena/

