KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Agjencia e OKB-së: Koreja e Veriut po zgjeron objektin e pasurimit të uraniumit në kompleksin bërthamor Yongbyon

Agjencia e OKB-së: Koreja e Veriut po zgjeron objektin e pasurimit të uraniumit në kompleksin bërthamor Yongbyon

Koreja e Veriut ka nisur zgjerimin e objektit të saj fillestar për pasurimin e uraniumit në kompleksin kryesor bërthamor të Yongbyonit, në një tjetër shenjë se Pheniani po vazhdon të zbatojë zotimin për forcimin e programit të armëve bërthamore.

Këtë vlerësim e bëri drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, në një deklaratë drejtuar Bordit të Guvernatorëve të kësaj agjencie.

“Sipas të dhënave tona, që nga mesi i shtatorit 2026, ka nisur ndërtimi i një zgjerimi të mëtejshëm të objektit fillestar të pasurimit në Yongbyon, ndërsa punimet e jashtme për këtë pjesë të re ishin përfunduar deri në fund të tetorit 2026”, deklaroi Grossi.

“Zgjerimi i vazhdueshëm i programit të pasurimit të uraniumit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë mbetet një shkak për shqetësim serioz”, shtoi ai.

IAEA nuk ka pasur qasje në Yongbyon apo në objekte të tjera në Korenë e Veriut që nga viti 2009, kur Pheniani dëboi inspektorët e agjencisë nga vendi.

Për të monitoruar zhvillimet në programin bërthamor të Koresë së Veriut, agjencia mbështetet në imazhet satelitore dhe informacionet e disponueshme publikisht.

Vetë Pheniani e ka cilësuar kompleksin e Yongbyonit si “zemrën” e programit të tij bërthamor, transmeton Telegrafi.

Armët bërthamore mund të prodhohen duke përdorur uranium shumë të pasuruar ose plutonium të cilësisë ushtarake. Koreja e Veriut ka kapacitete për prodhimin e të dy materialeve në kompleksin e Yongbyonit.

Vëzhguesit thonë se Pheniani ka ndërmarrë hapa për të ndërtuar objekte të tjera të pasurimit të uraniumit, si në Yongbyon, ashtu edhe në lokacione të tjera, që nga dështimi i diplomacisë bërthamore mes Kim Jong-unit dhe Donald Trumpit në vitin 2019.

Vitin e kaluar, ministri i Unifikimit i Koresë së Jugut, Chung Dong-young, deklaroi se Koreja e Veriut po operonte katër objekte të pasurimit të uraniumit dhe se ato funksiononin çdo ditë.

Zhvillimet në programin bërthamor të Phenianit vijnë në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur interesimin për t’u takuar me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, gjatë qëndrimit të tij në Azi për samitin në Kinë.

Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha më vonë se ende nuk ishte planifikuar ndonjë takim mes Trumpit dhe Kim gjatë vizitës në Kinë. Ai shtoi se presidenti amerikan është i gatshëm të nisë një dialog të ri me Phenianin.

Koreja e Veriut nuk ka reaguar ndaj ofertës së fundit të Trumpit.

Më herët, Kim kishte deklaruar se mund t’u rikthehej bisedimeve nëse SHBA-ja heq dorë nga ajo që ai e quan “politikë armiqësore” ndaj vendit të tij dhe e njeh statusin e Koresë së Veriut si shtet bërthamor.

Ekspertët vlerësojnë se Pheniani synon të fitojë njohje ndërkombëtare si fuqi bërthamore, pasi kjo do t’i mundësonte të kërkonte heqjen e sanksioneve ekonomike të Kombeve të Bashkuara. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.