Trepça ka shënuar fitore dramatike ndaj Splitit të Kroacisë, duke përmbysur rezultatin në momentet vendimtare të ndeshjes së xhiros së shtatë në Grupin A të FIBA Europe Cup.
Kampionia e Kosovës triumfoi me rezultat 94:88, të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku pati edhe përkrahje të madhe nga tifozët.
Mitrovicasit e nisën ndeshjen me vështirësi, duke e humbur çerekun e parë me rezultat 27:19. Megjithatë, reaguan fuqishëm në periudhën e dytë, të cilën e fituan 32:19, për të shkuar në pushim me pesë pikë epërsi, 51:46.
Pas pushimit, Spliti u rikthye në lojë dhe me një seri prej 12 pikësh radhazi kaloi në epërsi 58:51. Skuadra kroate e ruajti avantazhin deri në fund të çerekut të tretë, ndërsa në një moment epërsia e saj shkoi deri në dhjetë pikë.
Trepça nuk u dorëzua dhe afro dy minuta para fundit të kësaj periudhe realizoi një seri prej 7:0, duke e ngushtuar diferencën në vetëm dy pikë, 69:67.
Momentin e kthesës e solli Drilon Hajrizi, i cili 5 minuta e 52 sekonda para fundit të ndeshjes kaloi Trepçën në epërsi me një gjuajtje të lirë, për rezultatin 77:76.
Mitrovicasit nuk e lëshuan më avantazhin dhe në fund festuan një fitore të rëndësishme me rezultat 94:88.
Më i dalluari te Trepça ishte Jean-Pierre Tokoto, me 16 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime. Drilon Hajrizi realizoi 18 pikë, dy asistime dhe dy kërcime, duke qenë veçanërisht vendimtar në momentet kur po përcaktohej fituesi. Me 18 pikë kontribuoi edhe Andrew Thelwell, i cili regjistroi gjithashtu katër kërcime dhe tri asistime.
Në anën tjetër, Nick Johnson ishte më efikasi te Spliti, me 30 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime.
Kjo ishte fitorja e katërt për Trepçën në këtë grup, ku ka edhe tri humbje dhe gjithsej 11 pikë. Spliti, ndërkaq, ka bilanc prej katër fitoreve dhe tri humbjeve, duke u barazuar me mitrovicasit në pikë.
Kështu, gara për vendin e dytë në Grupin A mbetet e hapur. Trepça e kishte mposhtur Splitin edhe në ndeshjen e zhvilluar në Kroaci. /Telegrafi/

