Lionel Messi ka vendosur të distancohet nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA), duke ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur të drejtat e tij të imazhit.
Sipas raportimeve të mediave argjentinase, ylli i Inter Miamit kërkon që federata të ndalojë përdorimin e emrit, fotografive dhe videove të tij për qëllime komerciale pa autorizimin e tij.
Konflikti lidhet kryesisht me presidentin e AFA-së, Claudio Tapia.
Një nga rastet që ka acaruar situatën ishte përdorimi i imazhit të Messit në një fushatë reklamuese gjatë Botërorit, për një kompani birre që ishte sponsore e federatës.
Problemi qëndronte te fakti se argjentinasi kishte marrëveshje ekskluzive me një markë tjetër, duke detyruar ekipin e tij të jepte shpjegime para sponsorëve personalë.
Pakënaqësitë janë shtuar edhe për shkak të organizimit të ndeshjes së lamtumirës së Messit me kombëtaren, kundër Beninit, në stadiumin Monumental.
Problemet me ndriçimin, zërimin dhe organizimin e spektaklit shkaktuan kritika të shumta, ndërsa AFA dhe River Plate patën mospajtime për përgjegjësinë.
Sipas raportimeve, avokatët e Messit kanë përgatitur një njoftim zyrtar për t'i kërkuar federatës ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit komercial të imazhit të tij.
Ende nuk është e qartë nëse dokumenti është dërguar zyrtarisht, por marrëdhëniet mes kapitenit legjendar dhe drejtuesve të futbollit argjentinas duket se kanë arritur në pikën më të ulët. /Zëri

