KORREKT / SOT18 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Avokati serb: Sanksionet e kanë dobësuar pozitën e Rusisë, nuk ka fuqi të na shantazhojë

Avokati serb: Sanksionet e kanë dobësuar pozitën e Rusisë, nuk ka fuqi të na shantazhojë

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka deklaruar se Rusia nuk ka kapacitet ta shantazhojë Serbinë përmes furnizimit me gaz, duke argumentuar se sanksionet ndërkombëtare dhe kufizimet në tregun evropian e detyrojnë Moskën ta shesë gazin, madje edhe me çmime më të ulëta.

Duke folur për negociatat e Serbisë me Rusinë për furnizimin me gaz, Stojkoviq ka thënë se autoritetet serbe duhet ta kuptojnë se Moska është në pozitën e një shitësi që ka nevojë ta shesë produktin e tij.

Sipas tij, sanksionet ndaj Rusisë e kanë kufizuar mundësinë e saj për të shitur gaz në tregun evropian, prandaj ajo ka interes që të arrijë marrëveshje me Serbinë.

“Kur shkoni në Moskë për të folur për gazin rus, duhet ta kuptoni një gjë: bëhet fjalë për një shitës që dëshiron të shesë. Ai ka problem ta shesë produktin e tij. Sanksionet ndaj Rusisë e detyrojnë ta shesë më lirë, e jo më shtrenjtë. Pra, Rusia do t’ju shesë gaz më lirë. Jo sepse dëshiron, por sepse duhet, pasi nuk ka kujt t’ia shesë në Evropë”, ka deklaruar Stojkoviq.

Ai ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, diskutohet në Serbi për varësinë nga gazi rus, duke kërkuar që negociatorët serbë të përqendrohen në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe buxhetit të vendit.

“Uluni në tryezën e negociatave për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të këtij vendi, të të gjitha kombeve që jetojnë këtu, si dhe interesat e buxhetit tonë”, ka thënë ai.

Stojkoviq ka argumentuar se, edhe në rast se Rusia refuzon t’i shesë gaz Serbisë, autoritetet nuk duhet ta shohin këtë si një situatë në të cilën Moska ka epërsi negociuese.

Sipas tij, Serbia mund të shqyrtojë alternativa të tjera të furnizimit, përfshirë gazin natyror të lëngshëm (LNG), edhe nëse kjo do të nënkuptonte kosto fillestare më të larta dhe përshtatje të infrastrukturës.

“Thjesht dilni nga dera dhe thoni: ‘Në rregull’. Dy ditë më vonë do t’ju telefonojnë dhe do t’ju thonë se megjithatë duan t’ju shesin gazin”, ka deklaruar avokati serb, duke shprehur bindjen se Moska nuk mund ta përballojë lehtësisht humbjen e një tregu tjetër për eksportet e saj.

Ai ka theksuar se gazi është një produkt që kërkon shfrytëzim dhe qarkullim të vazhdueshëm, pasi ndërprerja e rrjedhës dhe e eksploatimit mund të krijojë probleme për prodhuesit.

“Është në interesin e tyre të na shesin gaz. Mos vazhdoni më me pretendimet se Rusia ka ndonjë kapacitet për ta shantazhuar cilëndo qeveri përmes gazit. Nuk e ka një kapacitet të tillë”, ka përfunduar Stojkoviq./Telegrafi.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.