Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë të enjten, më 19 nëntor, seancën plenare, me fillim nga ora 10:00.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në rend dite janë tri pika, përfshirë votimin e dy propozim-rezolutave dhe rishqyrtimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, transmeton Zeri.info.
Deputetët do të votojnë propozim-rezolutën nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, në rend dite është votimi i propozim-rezolutës nga mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Pika e tretë është rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili i është kthyer Kuvendit nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Pas kësaj Kuvendi do të vazhdojë me seancën e re nga ora 11:00, me pika të tjera të rendit të ditës. /Zëri

