Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen e mundshme të dy sistemeve të artilerisë raketore M142 HIMARS për Shqipërinë.
Përmes një postimi në Facebook, Nufi theksoi se paketa, me vlerë rreth 210 milionë dollarë, përfshin gjithashtu municione, trajnimin e efektivëve shqiptarë dhe mbështetje për mirëmbajtjen e sistemeve.
Sipas tij, pajisja me këto sisteme synon të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Forcave të Armatosura dhe të forcojë kontributin e Shqipërisë në NATO.
Njoftimi i plotë i ministrit:
Shqipëria ka kërkuar të pajiset me dy sisteme të artilerisë raketore M142 HIMARS. Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme dhe ka njoftuar Kongresin amerikan.
Paketa e propozuar, me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh, përfshin edhe municione, trajnim për ushtarakët shqiptarë dhe mbështetje për mirëmbajtjen e sistemeve. Për financimin e saj parashikohet një kredi nga programi amerikan i financimit ushtarak – FMF.
E mirëpresim këtë hap në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO”. /Telegrafi/

