Ide të mëdha për zhvillimin e qendrës së skijimit në Brezovicë kishte pasur thuajse secila udhëheqje e qeverisë së Kosovës, por pak u punua në këtë qendër turizmi.
Madje Qeveria e Kosovës në prill të vitit 2015 kur nënshkroi një kontratë me konsorciumin francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes” për t’ia dhënë me koncesion për 99 vjet Brezovicën. Planifikoheshin 410 milionë euro investime. Por, kjo përpjekje dështoi në vitin 2016 kur ky konsorcium, dështoi t’i siguronte paratë për investime qysh në fazën e parë.
Por, çfarë është Brezovica sot dhe çfarë ka mbetur nga hotelet që në vitet ’80-’90, joshnin mijëra vizitorë?! Objekti është i vjetruar nga jashtë, e i shkatërruar brenda.

Në këto hotele përpos rojeve nuk gjendet askush. Narcis, më shumë i mbyllur se në ofrim të shërbimeve. Hoteli Narcis është një prej hoteleve më të mëdha në Brezovicë.
Ky hotel që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 është menaxhuar nga struktura që nuk i kanë njohur institucionet e Kosovës.
Deri vonë këtu kanë qëndruar turistë të ndryshëm kryesisht nga Serbia që kanë ardhur për të kaluar disa ditë qëndrimi në Brezovicë, si dhe janë zhvilluar organizime të ndryshme.
Disa fotografi të realizuara së fundi tregojnë se gjendja e këtij objekti është e njëjtë, e vjetruar dhe e braktisur.
Ndryshe në prezantimin e programit të qeverisë së re në shtator 2026, kryeministri Albin Kurti përfshiu planin për një investim deri në 500 milionë euro në Brezovicë përmes Partneritetit Publiko-Privat (PPP).
Plani parashikon trefishimin e kapaciteteve të Qendrës së Skijimit, transformimin e hoteleve ekzistuese (përfshirë objektet e braktisura) në standarde evropiane, ndërtimin e një fshati turistik dhe vendosjen e një sistemi transporti me gondolë për turizëm katër-stinor.
Meqenëse NSH “Inex Sharr Planina – Qendra e Skijimit Brezovicë” është nën administrim të drejtpërdrejtë të shtetit, Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mori vendim më 27 gusht 2026 për emërimin e 7 anëtarëve të rinj të Bordit të Përkohshëm Menaxhues të kësaj ndërmarrjeje./Lajmi.net/




https://www.instagram.com/reel/Df1SsIwhMaX/

