Barcelona ka identifikuar një emër të ri për të përforcuar krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa në listën e dëshirave të klubit katalunas ka përfunduar Lewis Hall, mbrojtësi 22-vjeçar i Newcastle Unitedit.
Interesimi për anglezin thuhet se ka marrë shtysë edhe nga Lamine Yamal, i cili ka mbetur i impresionuar nga paraqitjet e tij gjatë përballjeve me Anglinë.
Hall shihet si një alternativë për krahun e majtë të mbrojtjes, veçanërisht në rast se Alejandro Balde largohet nga Barcelona.
Drejtuesit katalunas do të duhet të përgatiten për një operacion të vështirë, pasi mbrojtësi ka një kontratë afatgjatë me Newcastle dhe interesimi për të nuk mungon as nga klubet e tjera të Ligës Premier.
Anglezi iu bashkua Newcastle Unitedit në vitin 2023, pas largimit nga Chelsea, dhe që atëherë ka zhvilluar 107 paraqitje me skuadrën angleze, duke luajtur në garat vendore dhe evropiane.
Pengesa kryesore për Barcelonën është kontrata e tij. Newcastle njoftoi më 11 shtator 2026 se kishte rinovuar marrëveshjen me Hallin deri më 30 qershor 2031, duke e vendosur veten në një pozitë të favorshme për negociata.
Për më tepër, klubi anglez kishte refuzuar edhe interesimin e Manchester Unitedit gjatë afatit kalimtar të verës. Sipas raportimeve, skuadra nga ‘Old Trafford’ kishte shqyrtuar mundësinë e një oferte prej rreth 70 milionë eurosh.
Kjo shumë tregon se Barcelona do të duhet të bëjë një investim të konsiderueshëm nëse dëshiron ta transferojë mbrojtësin anglez, i cili mund të bëhet zëvendësues i Baldes në rast të largimit të këtij të fundit./Telegrafi/

