KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Kamelia lulëzon kur bimët e tjera pushojnë: Kujdesi që i nevojitet në nëntor për të ruajtur lulet

Kamelia lulëzon kur bimët e tjera pushojnë: Kujdesi që i nevojitet në nëntor për të ruajtur lulet

E njohur si mbretëresha e dimrit, kamelia magjeps me lulet elegante dhe ngjyrat e pasura. Por disa gabime gjatë muajve të ftohtë mund të shkaktojnë rënien e sythave përpara lulëzimit

Pak lule kanë aq shumë elegancë, delikatesë dhe hijeshi sa kamelia. Lulet e saj madhështore, petalet e formësuara bukur dhe ngjyrat intensive e bëjnë një nga bimët zbukuruese më të veçanta.

Megjithatë, për të mbetur e shëndetshme dhe për t’i ruajtur sythat, kamelia kërkon kujdes të veçantë gjatë nëntorit, përpara se të fillojnë ngricat.

Mbretëresha e dimrit dhe simbolika e saj

Kamelia ka një simbolikë të pasur, e cila ndryshon sipas kulturave dhe ngjyrave.

Në Kinë dhe Japoni, prej shekujsh lidhet me dashurinë, besnikërinë, admirimin dhe jetëgjatësinë. Në Evropën viktoriane konsiderohej simbol i elegancës dhe bukurisë.

Aleksandër Dyma i Riu e përjetësoi në romanin e famshëm “Zonja me kamelie”, ndërsa lulja është shndërruar edhe në një nga simbolet karakteristike të shtëpisë së modës Chanel.

Meqenëse disa varietete lulëzojnë gjatë vjeshtës dhe dimrit, kamelia simbolizon qëndrueshmërinë dhe bukurinë që mbijeton edhe në ditët e ftohta.

Ndërsa shumë bimë pushojnë, ajo përgatitet për lulëzim. Disa varietete tashmë çelin në nëntor, ndërsa të tjerat zhvillojnë sytha që hapen më vonë.

Foto: Manuta

Si ta mbroni kamelian nga ngricat?

Kamelia e pëlqen freskinë, por temperaturat shumë të ulëta mund t’i dëmtojnë sythat, veçanërisht kur kultivohet në vazo.

Nëse e mbani në ballkon, vendoseni në një kënd të mbrojtur nga era. Vazot mund t’i mbështillni me material izolues për të mbrojtur rrënjët.

Bima ka nevojë për dritë të mjaftueshme, por duhet mbrojtur nga dielli i fortë dhe erërat e ftohta.

Sipas Shoqatës Mbretërore të Hortikulturës (RHS), rezistenca ndaj të ftohtit ndryshon sipas varietetit, ndërsa kameliet që lulëzojnë në vjeshtë mund të kërkojnë mbrojtje shtesë gjatë dimrave të ashpër.

Sa shpesh duhet ujitur në nëntor?

Gjatë nëntorit, kamelia kërkon më pak ujë sesa në verë, por dheu nuk duhet të thahet plotësisht.

Ujiteni me masë, kur shtresa sipërfaqësore e dheut fillon të thahet.

Preferohet uji i shiut, sepse kamelia nuk e pëlqen ujin me përmbajtje të lartë gëlqereje.

Kujdes me sythat: Mund të bien para lulëzimit

Shmangni zhvendosjet e shpeshta dhe ndryshimet e papritura të temperaturës.

Këto kushte, së bashku me mungesën ose tepricën e ujit, mund të shkaktojnë rënien e sythave.

Nëntori gjithashtu nuk është periudha e përshtatshme për krasitje të zakonshme. Hiqni vetëm degët e dëmtuara ose të thara.

foto: esindeniz

Dheu i përshtatshëm është vendimtar

Kamelia e pëlqen dheun paksa acid, të shkrifët dhe me kullim të mirë.

Nëse kultivohet në vazo, përdorni substrat të përshtatshëm për azale dhe rododendrone.

Mos lejoni grumbullimin e ujit rreth rrënjëve, sepse lagështia e tepërt mund të shkaktojë kalbëzimin e tyre.

Nëse bima ka zhvilluar sytha, mos u përpiqni ta përshpejtoni lulëzimin duke e futur në një dhomë shumë të ngrohtë. Kushtet e freskëta dhe të qëndrueshme janë më të përshtatshme.

Çfarë simbolizojnë ngjyrat e kamelias?

Ngjyrat e kësaj luleje bartin kuptime të ndryshme:

  • Kamelia e kuqe – dashuri e thellë, pasion, respekt dhe admirim.
  • Kamelia e bardhë – sinqeritet, pastërti dhe ndjenja të buta.
  • Kamelia rozë – mall, romantikë, butësi dhe përkushtim.

Me kujdesin e duhur, kamelia mund ta zbukurojë shtëpinë apo kopshtin pikërisht atëherë kur natyra ka më së paku ngjyra. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.