Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në Bruksel, ku po merr pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin.
Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar Metsolën për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian ndaj Kosovës, duke vlerësuar edhe angazhimin e saj për mbajtjen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian në agjendën politike të institucioneve evropiane.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Haxhiu ka theksuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim, ndërsa ka kërkuar nga Metsola që të angazhohet për ta shtyrë përpara këtë proces.
Ajo ka kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian ta ftojë Komisionin Evropian që të japë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ashtu siç ka kërkuar edhe Parlamenti Evropian.
Sipas Haxhiut, Kosova është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ndërsa qytetarët e saj vazhdojnë të shprehin mbështetje të lartë për integrimin evropian.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian, veçanërisht përmes Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, si dhe për shkëmbimin e përvojave ndërmjet deputetëve dhe administratave të të dy institucioneve.
Një tjetër kërkesë e Haxhiut ishte mbështetja e Metsolës për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU). Sipas saj, presidentja e Parlamentit Evropian është zotuar se do të ndihmojë në këtë drejtim.
Në përfundim të takimit, Haxhiu ka ftuar Metsolën për një vizitë zyrtare në Kosovë. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:

