Qumështorja VITA ka reaguar pas dyshimeve të ngritura së fundmi për cilësinë dhe sigurinë e produkteve të saj, duke kërkuar transparencë nga institucionet përgjegjëse dhe hetim nga Prokuroria e Shtetit.
Në një reagim publik, kompania pretendon se që nga 2 korriku janë realizuar mbi 30 inspektime dhe janë marrë më shumë se 650 mostra, por sipas saj, rezultatet e analizave nuk i janë dorëzuar, transmeton lajmi.net.
VITA thotë se fillimisht ishte përballur me dyshime për përdorim të vajit të palmës, më pas për qumësht pluhur dhe ujë pusi, të cilat, sipas kompanisë, nuk janë vërtetuar.
Ndërkaq, së fundmi është ngritur një pretendim për një mostër prej një litri qumësht, ku dyshohet se një lot i prodhimit ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.
Kompania ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje, duke ngritur dyshime për trajtim të padrejtë dhe veprime të mundshme të qëllimshme ndaj saj.
Për këtë arsye, VITA i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse.
“VITA kërkon transparencë të plotë, qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar”, thuhet në reagim.
Kompania ka theksuar se gjatë 25 vjetëve të veprimtarisë nuk është përballur me raste të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve, ndërsa ka përmendur edhe certifikimet IFS Food, Halal Food Certificate dhe HACCP.
Në fund, VITA ka siguruar konsumatorët se qëndron pas cilësisë së produkteve të saj, duke theksuar se ato prodhohen me qumësht vendor.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë”, përfundon reagimi i kompanisë.
Postimi i plotë:
VAZHDOJNË SULMET NDAJ VITA-s!
Që nga 2 korriku, mbi 650 mostra, mbi 30 inspektime dhe asnjë rezultat i dorëzuar. VITA kërkon transparencë dhe hetim nga Prokuroria!
Qumështorja VITA reagon me shqetësim të thellë ndaj situatës së fundit të krijuar, pas një serie të vazhdueshme kontrollesh dhe dyshimesh të ngritura ndaj kompanisë sonë.
Fillimisht u ngritën dyshime për vaj palme, por ato nuk u vërtetuan!
Pastaj për qumësht pluhur, por as këto dyshime nuk u vërtetuan!
Më pas për ujë pusi, por as këto dyshime nuk u vërtetuan!
Tani, pas gjithë këtyre kontrolleve, paraqitet një mostër prej vetëm një litri qumësht, me pretendimin se një lot i prodhimit ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.
Për një çerek shekulli veprimtarie, VITA nuk është përballur me asnjë rast të vetëm të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve. Përkundrazi, jemi e vetmja fabrikë e përpunimit të qumështit në rajon e pajisur me certifikatat IFS Food, Halal Food Certificate dhe HACCP.
Prandaj, mënyra se si po zhvillohet kjo situatë ngre dyshime serioze për trajtim të padrejtë dhe veprime të mundshme të qëllimshme kundër kompanisë sonë.
I bëjmë thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që t’i shqyrtojë këto raste dhe të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse.
VITA kërkon transparencë të plotë, qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar.
Konsumatorëve tanë u themi qartë: VITA qëndron pas cilësisë PREMIUM të produkteve të saj, të prodhuara me 100% qumësht nga fermerët e Kosovës. Siguria ushqimore dhe shëndeti i konsumatorëve kanë qenë dhe mbeten prioriteti ynë absolut.
Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë.
VITA – 100% qumësht vendor. Cilësi PREMIUM. Besim i palëkundur!/lajmi.net/