Prodhuesi francez i automjeteve, Renault, njoftoi të hënën planet për të krijuar 2,000 vende pune deri në vitin 2028 – kryesisht në sektorin e prodhimit – ndërsa do të shkurtojë 1,000 pozicione, kryesisht administrative, në përpjekje për t’iu bërë ballë konkurrencës së ashpër nga Kina.
Kompania u prezantoi sindikatave projektin e saj “France Industrie FutuREady”, i cili synon të transformojë aktivitetet industriale për t’iu përgjigjur sfidës në rritje që prodhuesit kinezë të automjeteve u paraqesin prodhuesve evropianë.
Riorganizimi do të përfshijë krijimin e 2,000 vendeve të reja të punës gjatë dy viteve, kryesisht pozicione në sektorin e prodhimit (punëtorë krahu), tha Thierry Charvet, kreu i departamentit të cilësisë, prodhimit dhe zinxhirit të furnizimit, gjatë një bisede me gazetarët.
Renault ka rreth 15,000 vende pune industriale në Francë.
Plani parashikon punësimin e 1,650 operatorëve dhe punëtorëve të prodhimit në fabrikat e kompanisë, si dhe 250 punonjësve në funksione mbështetëse (indirekte) dhe 100 të diplomuarve të rinj.
Renault njoftoi gjithashtu largimin vullnetar të 1,000 punonjësve në funksione administrative dhe mbështetëse, sipas një skeme që mbetet ende për t’u negociuar me sindikatat.
Disa pozicione që konsiderohen strategjike do të ruhen, përfshirë ato në inxhinierinë e baterive, elektronikën dhe softuerin, sistemet e motorizimit elektrik dhe mirëmbajtjen industriale.
Në muajin shtator, kompania njoftoi se do të investojë 600 milionë euro (660 milionë dollarë) në Spanjë deri në vitin 2030, për prodhimin e pesë modeleve të reja. /Telegrafi/

